Një 56-vjeçar nga Fier, Spartak Joanu, është arrestuar nga Policia Kufitare në pikën e kalimit të Muriqanit, ndërsa tentonte të hynte në Shqipëri. Ai ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, të cilat e kanë dënuar me 16 vjet e 4 muaj burg.

Joanu akuzohet për “Grup kriminal në trafikimin e lëndëve narkotike” dhe “Grup kriminal me qëllim shfrytëzimin e prostitucionit”.

Sipas Policisë së Shkodrës, arrestimi u bë falë kontrolleve të shtuar në pikën kufitare dhe shkëmbimit të informacionit me Interpol Tiranën. Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, do të kryejë procedurat për ekstradimin e tij drejt Italisë.

Autoritetet italiane e kishin shpallur në kërkim ndërkombëtar pas vendimit të Gjykatës së Apelit në Ankona, që e ka dënuar për veprat penale të lartpërmendura në përputhje me legjislacionin penal italian.