Një mosmarrëveshje për çështje pronësie mes dy vëllezërve në Vlorë ka degraduar në kërcënime me armë zjarri. Ngjarja është regjistruar në lagjen “Uji i Ftohtë”, ndërsa ndërhyrja e policisë çoi në arrestimin e një 47-vjeçari.

Sipas të dhënave paraprake, pas një debati për pronën, shtetasi me inicialet J. T. dyshohet se ka kanosur me pistoletë vëllanë e tij. Rasti u denoncua në polici, duke sjellë ndërhyrjen e menjëhershme të efektivëve dhe shmangien e përshkallëzimit të konfliktit.

47-vjeçari, i cili rezulton me precedent të mëparshëm penal për trafikim të lëndëve narkotike, u arrestua nga policia.

Gjatë veprimeve të kryera u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një pistoletë, dy krehra dhe 30 fishekë.

Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rrethanave të konfliktit dhe sqarimin e ngjarjes.