Siri, Assad takon të dërguarin Brahimi: Duhet dialog mes sirianëve për zgjidhjen e krizës
“Është i nevojshëm dialogu mes sirianëve, për të zgjidhur krizën në Siri”. Kështu deklaroi Presidenti sirian Bashar al-Assad në përfundim të takimit me të dërguarin e posaçëm të OKB-së dhe Ligës Arabe, Lakdar Brahimi. Assad është shprehur i gatshëm të bashkëpunojë: “Me çdo forcë serioze për zgjidhjen e krizës, me kusht që të jetë neutrale. Suksesi i aksionit politik lidhet me presionin që duhet ushtruar ndaj vendeve që financojnë dhe stërvisin terroristët e që fusin armë në Siri”. Ndërsa i dërguari i posaçëm Brahimi është shprehur për mediat pas takimit se: “Presidenti Assad e di më mirë se unë rrezikun e krizës dhe dimensionet e saj. I kam thënë zotit president se Kombet e Bashkuara dhe Liga Arabe do të bëjnë gjithçka për të ndihmuar popullin sirian, që të dalë nga kjo përvojë e hidhur”. Brahimi po ashtu ka thënë se kriza paraqet rrezik “edhe për rajonin, edhe për gjithë botën”.
Ky ka qenë takimi i parë i Brahimit me Assad-in, që nga koha kur ai ka marrë detyrën e të dërguarit të Kombeve të Bashkuara dhe të Ligës Arabe për Sirinë.
Revolta kundër Assad-it ka hyrë në muajin e 18-të, ndërsa aktivistët kanë bërë të ditur se vetëm ditën e premte janë vrarë 160 persona. I dërguari i ri i OKB-së dhe Ligës Arabe ndodhet në Damask në vizitën e parë zyrtare në Siri, ndërsa theksoi se kriza në atë vend është përkeqësuar. Lakhdar Brahimi u takua më herët edhe me ministrin e Jashtëm sirian, dhe gjithashtu do të takohet me anëtarë të opozitës siriane, të cilët po luftojnë për të përmbysur nga pushteti Assad-in. Këshilli i Sigurimit i OKB-së është bllokuar lidhur me krizën në Siri. Rusia dhe Kina u kanë vënë veton përpjekjeve për të vendosur sanksione të reja më të ashpra kundër qeverisë së Assad-it. Shtetet e Bashkuara nuk duan asnjë lloj angazhimi ushtarak në Siri, ndërkohë që nuk është bërë thuajse asnjë përparim drejt bashkimit të opozitës së shpërndarë për të formuar një alternativë të mundshme për regjimin e Presidentit Assad.
Assad është shprehur i gatshëm të bashkëpunojë “me çdo forcë serioze për zgjidhjen e krizës”
Ky ka qenë takimi i parë i Brahimit me Assad-in, që nga koha kur ai ka marrë detyrën e të dërguarit të OKB-së