E rrallë


Historia në Fakultetin e Infermierisë në Korçë. Hetohet 22-vjeçarja


Studentja nga Gramshi i ka dhënë 4 mijë lekë pedagoges, me qëllim marrjen e provimit në lëndën e saj


Të thuash se shumë pedagogë apo mësues janë të korruptuar, kjo nuk është e re, por që ka ende njerëz, të cilët nuk pranojnë të korruptohen, edhe pse u dërgon paratë në shtëpi, sigurisht që është një vlerë për arsimin shqiptar. Kjo është historia e vërtetë që ka ndodhur me një pedagoge në Korçë. Ajo nuk ka pranuar që të japë notë kaluese për një studente, e cila nuk ka arritur të marrë provimin dhe ka tentuar t’i japë para pedagoges në këmbim të notës. Madje, pedagogia, jo vetëm që nuk ka pranuar të marrë paratë, por edhe e ka denoncuar në polici studenten.


Historia zë fill që në muajin qershor, kur studentët kishin sezonin e provimeve, në Universitetin “Fan S. Noli” të Korçës. Anida Kume, 22 vjeçe, banuese në Gramsh, kishte zgjedhur të studionte në Fakultetin e Infermierisë. Por kur ka ardhur koha e provimeve, ajo ka ngelur në një nga lëndët, që jep pikërisht pedagogia Elda Panariti, 45 vjeçe, e cila njihet edhe me mbiemrin Nuni. Në provimin e saj për vitin e parë, studentja nuk ka arritur të marrë notë kaluese. Në këto kushte, 22-vjeçarja i ka shkuar në shtëpi pedagoges, duke i kërkuar që ta kalonte, pasi nëse rezultonte mbetëse, atëherë do të kishte probleme me familjen dhe do të humbiste vitin shkollor. Megjithatë, pedagogia duket se nuk ka pranuar ta lëshojë notën, duke e konsideruar të shtrenjtë atë dhe i ka dhënë përgjigje negative studentes. Nga të dhënat e mbledhura mendohet se biseda është kryer më 4 qershor të këtij viti, ndërkohë që pas përgjigjes negative, studentja i ka ofruar edhe para pedagoges. Ajo i ka dhënë Elda Panaritit një zarf me 4 mijë lekë të reja, duke u justifikuar se nuk kishte të tjera, me qëllim që ajo të pranonte të shiste notën.


Por ky veprim duket se e ka irrituar më shumë pedagogen, e cila ka njoftuar policinë për gjestin e kryer nga studentja. Menjëherë Elda Panariti (Nuni) ka denoncuar në polici ofrimin e parave nga studentja, por kjo e fundit është larguar nga Korça për në qytetin e Gramshit. Duke parë rrethanat, policia e ka lënë në heshtje këtë çështje deri para pak ditësh. Sipas të dhënave, studentja është rikthyer në Korçë dhe pas informacioneve të mbledhura nga policia është vendosur që ajo të dërgohet për ndjekje penale. Megjithatë, prokurori është treguar zemërgjerë për studenten e dyshuar për veprën penale “korrupsion aktiv”, duke vendosur që ta hetojë në gjendje të lirë. Gjithashtu, Policia lokale e Korçës tha se po heton nëse çështja është pikërisht siç është denoncuar nga pedagogia, apo fshihet ndonjë gjë tjetër pas saj. Por, për të dokumentuar plotësisht këtë rast, pritet që të bëhet ballafaqimi mes studentes dhe pedagoges, ku kjo e fundit duket se ka kryer një gjest fisnik, duke mos pranuar të korruptohet. Red. Akt.