Gjykatësi Artan Haradinaj ka deklaruar se nuk ka asnjë konflikt personal


Bajram Curri është gdhirë dje me djegien e makinës së gjyqtarit të Artan Haradinaj, ku mendohet se i është vënë zjarri qëllimisht nga persona të paidentifikuar. Ngjarja e rëndë është shënuar dje në orët e para të mëngjesit (duke gdhirë e shtuna) në qytet, ku i është vënë zjarri automjetit personal të njërit prej gjyqtarëve të rrethit, i cili ishte me targa të huaja. Bëhet fjalë për makinën e gjyqtarit Artan Haradinaj, të parkuar para shtëpisë në lagjen “Dardania” të qytetit. Burime të policisë, duke konfirmuar ngjarjen, thanë se mjeti i gjyqtarit Haradinaj është djegur totalisht me lëndë djegëse dhe ende deri tani nuk dihen autorët e mundshëm, por as edhe motivet. Sipas burimeve nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Kukës, ngjarja ka ndodhur pak pas orës 03.00 të mëngjesit, kur autovetura e gjyqtarit ka marrë flakë në mënyrë të papritur. Në vendngjarje kanë shkuar forcat e policisë dhe po hetohet për të zbardhur rrethanat e djegies së makinës. Gjyqtari Haradinaj dhe familjarët e tjerë kanë thënë se janë befasuar nga shpërthimi i makinës dhe ndonëse Haradinaj nuk ka dhënë ndonjë prononcim zyrtar, mësohet që para oficerit të policisë gjyqësore të ketë thënë se nuk ka ndonjë pistë për ngjarjen dhe nuk ka ndonjë konflikt personal. Megjithatë, policia po heton kryesisht mbi personat e gjykuar prej tij, pavarësisht se ai nuk ka pasur ndonjë informacion për ndonjë kërcënim të mundshëm. Njerëzit mendojnë se djegia e makinës përbën një presion për drejtësinë, pasi në Tropojë ka dhjetëra çështje delikate për t’u gjykuar, një pjesë e të cilave lidhet edhe me krime ende të pazbuluara të së shkuarës. Grupi i hetimit nuk ka dhënë ndonjë konkluzion për ngjarjen, lidhur me lëndën që është përdorur për djegien e makinës dhe personat përgjegjës apo motivet. Paraprakisht thuhet se është përdorur benzinë dhe fakti që ka qenë ora 03.00 kur të gjithë kanë qenë në gjumë e bën të vështirë edhe gjetjen e ndonjë dëshmitari, pasi ngjarja nuk është parë nga askush. Banorët kanë treguar habinë e tyre dhe mendojnë se akti duhet të jetë përdorur nga persona keqbërës, si një presion për drejtësinë në tërësi dhe ndoshta nuk ka shumë lidhje me gjyqtarin në fjalë. S. Dida