Pronari i biznesit të mobilierisë në Vlorë, Eduart Aliko, ka reaguar pas ngjarjes tragjike ku dyshohet se një person ka vënë zjarrin në dyqanin e tij. Në një deklaratë për mediat, Aliko theksoi se nuk ka asnjë konflikt me individë të tjerë dhe se nuk është një person konfliktual, duke shtuar se është një njeri paqësor. Ai pohoi se është i sigurt që autorin e aktit të dhunshëm e kanë kapur kamerat e sigurisë, dhe se është i dukshëm në pamjet filmike.
Aliko tha se dëmi që ka shkaktuar zjarri në objektin e tij është i konsiderueshëm dhe arrin në vlerën 3 milionë lekë të reja. Ai shtoi se nuk ka dyshime për askënd nga njerëzit me të cilët punon dhe bashkëpunon, duke e lënë gjithçka në dorë të drejtësisë për të zbardhur ngjarjen.
“Unë nuk kam ndonjë konflikt dhe nuk jam njeri konfliktual, jam shumë paqësor. Ja lë drejtësisë këtë shërbim, i cili është i detyruar ta bëjë, sepse kamerat janë aty, personi është i dukshëm dhe mendoj se shumë shpejt do të zbardhet ngjarja. Dëmi duhet të shkojë në 3 milionë lekë të reja. Unë nuk kam konflikte dhe prandaj ja kam lënë edhe drejtësisë. Me njerëzit që punoj dhe bashkëpunoj nuk kam asnjë lloj dyshimi,” deklaroi Aliko.
Policia është duke hetuar ngjarjen dhe po shqyrton pamjet e kamerave të sigurisë për të identifikuar autorin e vënies së zjarrit dhe për të zbardhur arsyet që qëndrojnë pas këtij akti të dhunshëm.
