Këshilli i Evropës, organi kryesor mbikëqyrës i të drejtave të njeriut në kontinent, tha sot se ka rënë dakord të heqë imunitetin diplomatik të ish-sekretarit të përgjithshëm norvegjez Thorbjørn Jagland, duke i lejuar policisë të hetojë lidhjet e tij me Jeffrey Epstein.
Policia anti-korruspion e Norvegjisë ka hapur një hetim ndaj Thorbjørn Jagland, ish-kryeministër dhe ministër i jashtëm dhe ish-kryetar i komitetit të Çmimit Nobel për Paqen, me dyshimin për korrupsion.
Vendimi për të hetuar Jagland, Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës nga viti 2009 deri në vitin 2019, u bazua në informacionin e zbuluar nga dosjet e publikuara në lidhje me Epstein, pedofilin i cili vdiq ndërsa ishte në burg në vitin 2019.
Avokati i Jagland, Anders Brosveet, tha se vendimi për heqjen e imunitetit të tij ishte siç pritej, dhe Jagland do të bashkëpunonte me hetimin për të sqaruar të gjitha çështjet.
“Ai e merr këtë çështje shumë seriozisht, por dëshiron të theksojë se beson se nuk ka rrethana që përbëjnë përgjegjësi penale”, tha Brosveet në një deklaratë.
Për të kryer një hetim policor, ishte e nevojshme të hiqej imuniteti i Jaglandit dhe ministria e jashtme e Norvegjisë tha se u kishte kërkuar 46 vendeve të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës ta bënin këtë.
Jagland nuk është akuzuar për ndonjë krim, por hetimi do të kërkojë të zbulojë nëse janë marrë dhurata, udhëtime apo kredi në lidhje me pozicionin e tij, tha policia.
“Jagland, si Sekretar i Përgjithshëm i zgjedhur i Këshillit të Evropës, do të kishte shkelur besimin që vjen me pozicionit të tij, nëse ai do të merrte ryshfete”, tha policia norvegjeze në letrën drejtuar këshillit të Europës ku kërkoi heqjen e imunitetit të tij.
Publikimi i një sasie të madhe dokumentesh në SHBA ka zbuluar një mori lidhjesh të reja të Epsteinit me politikanë, mbretër dhe të pasur në të gjithë Europën dhe Shtetet e Bashkuara.
Dosjet tregojnë ndër të tjera se Jagland dhe asistentët e Epsteinit bënë plane të detajuara në vitin 2014 që Jagland, gruaja e tij, dy fëmijët dhe e dashura e djalit të tij të vizitonin Epsteinin në Palm Beach dhe ishullin e Karaibeve që ai zotëronte.
Jagland, atëherë sekretar i përgjithshëm i organit mbikëqyrës të të drejtave të njeriut të Këshillit të Evropës, ka mohuar të ketë vizituar ndonjëherë ishullin privat të Epstein.
Në një email në vitin 2014, ai kërkoi ndihmën e Epstein për të financuar një apartament në Oslo.
Emailet nga viti 2018 treguan se Epstein i kërkonte Jagland të organizonte takimin e tij me Ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov dhe thoshte se kishte informacione për t’i ofruar Presidentit Vladimir Putin. Jagland premtoi ta ngrinte çështjen me asistentin e Lavrov.
Policia norvegjeze tha të hënën se po heton gjithashtu dy diplomatë të profilit të lartë në një tjetër hetim korrupsioni të lidhur me Epstein, ndërsa princesha e kurorës së vendit ka kërkuar vazhdimisht falje për miqësinë e saj me financierin e dënuar për pedofili.
Komiteti mbikëqyrës parlamentar i Norvegjisë ra dakord unanimisht të martën të caktojë një hetim të rrallë të jashtëm mbi lidhjet e ministrisë së jashtme me Epstein./TCH
