Policia greke ka identifikuar 44-vjeçarin nga Tepelena, Juliand Halili, i njohur edhe si Xhuliano Halili ose Niko, si një nga kriminelët më të rrezikshëm që ka vepruar brenda dhe jashtë burgjeve. Ai akuzohet për të paktën katër vrasje dhe një tentativë vrasjeje, ndërsa po hetohet për vrasjen e fundit të ndodhur brenda burgut “Koridhalos”.
Halili ka vepruar disa herë nën urdhrat e kriminelit grek Vasilis Varelas, i njohur si një dublant i Chuck Norris në vitet ’80 dhe i akuzuar për krime të rënda, përfshirë trafikun e drogës. Në vitin 2009, Halili tentoi të vriste ish-burrin e gruas së Varelas në dy raste, por viktima shpëtoi falë ndërhyrjeve mjekësore dhe bllokimit të atentatit të dytë.
Ai është gjithashtu i dyshuar për vrasjen e punonjësit të një diskoje në Mikromani të Kalamatës në 2008, si dhe për ekzekutimin e 35-vjeçarit Fillim Mesaja dhe të birit të tij 2-vjeçar, Oligert, në Mesinia në 2011, një veprim që lidhej me larjen e hesapeve të Varelas.
Në vitin 2018, Halili u arratis nga Porti i Pireut gjatë transportimit drejt burgut, por u kap shpejt nga policia së bashku me të dënuarin Alfons Ndoci.
Ngjarja më e fundit ka ndodhur në qershor 2024, brenda burgut të Koridhalos, ku Xhuliano Halili vrau të burgosurin 35-vjeçar Alfons Ndoci dhe plagosi 48-vjeçarin Altin Vokrri. Vrasja e Ndocit dyshohet të ketë qenë një porosi me pagesë nga jashtë.
Autoritetet greke vazhdojnë hetimet për aktivitetet kriminale të Halilit dhe lidhjet e tij me krimin e organizuar ndërkombëtar.
