Nju Jorku pushtohet nga ngricat, ndërsa karburanti për ngrohje mungon
Viktimat e superstuhisë Sandy në Bregun Lindor vuajtën nga i ftohti gjatë së dielës, ndërkohë që furnizimi me karburant është ende i kufizuar dhe energjia elektrike nuk është kthyer në normalitet. Amerika po përgatitet ndërkohë për zgjedhjet e së martës, ku Presidenti aktual Obama po sfidohet nga republikani Mitt Romney, në një garë të ngushtë ku fituesi pritet të përcaktohet nga një grusht votash.
Furnizimet me karburant po i afrohen zonave të katastrofës ndërsa miliona konsumatorë u rilidhën me rrjetin e energjisë elektrike. Ndërkohë temperaturat kanë zbritur gati në zero në zonën verilindore. Kryebashkiaku i Nju Jorkut, Michael Bloomberg, paralajmëroi se qytetit mund t’i nevojiten edhe shumë ditë para se të kthehet në normalitet. Rikthimi i energjisë ndriçoi panoramën në Manhatanin e poshtëm për herë të parë në gati 1 javë dhe mundësoi rikthimin në punë në 80 për qind të trenave nëntokësorë. Por 2.5 milionë shtëpi dhe biznese ende nuk kanë energji elektrike.
Mungesa e energjisë elektrike dhe e naftës për ngrohje bën që shumë shtëpi të jenë të ftohta në kushtet e një moti shumë të ftohtë. Parashikuesit e motit presin që temperaturat të zbresin nën zero këtë javë. Bloomberg u kërkoi njerëzve pa energji dhe ngrohje të shkojnë te qendrat e emergjencave ku mund të marrin një ambient të ngrohtë dhe ushqim.
Zyrtarët nëpër zonat e prekura nga stuhia janë shumë të shqetësuar edhe për faktin se shumë votues të zhvendosur nga stuhia janë ende larg qendrave të tyre të votimit. Shumë qendra votimi janë dëmtuar nga vala e ujit të detit në Nju Jork dhe Nju Xhersi. Në Nju Xhersi, autoritetet lejuan votuesit e zhvendosur të votojmë përmes e-mail-it, ndërsa disa votues në Nju Jork do të shkojnë të votojnë në tenda të ngritura me nxitim. Kaosi i pas stuhisë ka lënë në hije ditët finale të fushatës.
“Nuk e kam shumë mendjen te zgjedhjet tani”, thotë Frank Carrol, 59 vjeç, një punëtor në pension i cili jeton në Staten Island. Ai planifikonte të votonte, por nuk ishte i sigurt nëse qendra e votimit do të hapej të martën.
Guvernatori i Nju Xhersit urdhëroi hapjen e qendrave të votimit edhe në fundjavë për të garantuar sa më shumë vota të hershme. Ndërkohë, numri i viktimave të shkaktuara tashmë raportohet në 110 vetë. Si një simbol i kthimit në normalitet, Bloomberg deklaroi se shumica e 1750 shkollave publike do të rihapen të hënën. Policia thotë se norma e kriminalitetit në qytetin e Nju Jorkut ka rënë me një të tretën gjatë ditëve pas stuhisë, por kishte gjithsesi një rritje të lehtë të vjedhjeve. Së paku dhjetë vetë u arrestuan për mosmarrëveshje të ndryshme ndërsa mbanin radhën për t’u furnizuar me karburant. Kjo është hera e parë që nga vitet ‘70 që SHBA-ja përballet me mungesë karburanti.