Zegjine Çaushi do të jetë deputetja më e re në Kuvendin e Shqipërisë, pas tërheqjes së papritur nga mandati të kandidates së Partisë Socialiste, Maldrita Bardho. Me këtë vendim, Çaushi siguron zyrtarisht një vend në parlament për katër vitet e ardhshme.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Çaushi ka falënderuar Bardhon për, siç e quan ajo, një vendim të guximshëm dhe befasues, ndërsa ka lëshuar edhe një mesazh sfidues ndaj opozitarit Gazmend Bardhi.

“Kam vendosur të bëj këtë komunikim publik, pasi e ndjej të nevojshme të falënderoj kolegen time, Maldrita Bardho, për vendimin e guximshëm që më bën edhe më të përgjegjshme për detyrën në Kuvendin e Shqipërisë,” – shprehet Çaushi, duke shtuar se do të tregojë me kohë se çfarë përfaqëson në politikë.

Ajo ndalet edhe në sfidat personale me të cilat është përballur, duke përmendur sulmet mediatike dhe politike që, sipas saj, nuk e kanë trembur.

“Jam anatemuar në banaqet e studiove televizive dhe politikanëve që ulërasin emrin tim për të mbuluar zullumet e tyre… Se kush jam e çfarë do bëj në parlament, këtë do e tregojë koha.”

Në fund të mesazhit të saj, Çaushi jep një falënderim të ngrohtë për Maldrita Bardhon, duke e quajtur “fisnike dhe model”, ndërsa ironizon ashpër Gazmend Bardhin:

“Gazo, je politikani më i dështuar, iu ke ngelur në derë dhe s’po dinë të të heqin qafe.”

Tërheqja e Bardhos dhe reagimi i Çaushit kanë shkaktuar jo pak diskutime në radhët e PS-së dhe përtej, ndërsa mbetet për t’u parë si do të pozicionohet deputetja e re në sesionin parlamentar që pritet të nisë në shtator.