Babai i Ilaria Sulës ka rrëfyer momentet e fundit para zhdukjes së vajzës së tij, në emisionin “Me Zemër të Hapur” në News24.

Ai ka treguar se data 25 mars 2025 ishte hera e fundit që familja dëgjoi zërin e saj.

Pas asaj dite, familja u përfshi nga ankthi dhe pasiguria, ndërsa kërkimet për të vijuan për ditë me radhë. Sipas dyshimeve, autori i krimit ka tentuar të fshehë ngjarjen duke përdorur telefonin e Ilarias për të dërguar mesazhe, me qëllim krijimin e përshtypjes se ajo ishte larguar me dëshirë.

Zbulimi i së vërtetës erdhi falë këmbënguljes së vëllait të saj, i cili arriti të gjurmojë telefonin, duke ndihmuar hetuesit të çonin përpara zbardhjen e ngjarjes.

Më pas, trupi i pajetë i të resë u gjet i fshehur në një valixhe dhe i hedhur në një humnerë, një detaj që ka tronditur opinionin publik dhe ka thelluar dhimbjen e familjes.

“Ilaria ishte shumë korrekte dhe kurrë nuk dilte nga fjala, aty u alarmuam dhe u nisëm për të Romë, për në banesën ku Ilaria jetonte me 5 vajza të tjera.
I telefonuam t’i pyesnim se kur doli Ilaria nga shtëpia atë mëngjes, ndërsa ato e morën me shaka dhe na thanë se Ilaria është mirë, niseshin nga mesazhet që ai u niste në telefon, që gjoja po bashkëjetonin. Mendonin se nuk kishte ndodhur asgjë e keqe e morën si një lojë.

Ne e kuptuam direkt që diçka nuk shkonte, madje gruaja më tha; Ilarian ose e kanë vrarë ose ka dikë me pistoletë te koka që nuk përgjigjet në telefon. Por nuk donim ta besonim.

Bëmë denoncim në polici, ishte ditë e shtunë, nisën kërkimet, edhe të dielën shkuam bashkë në komisariat sërish. Po qanim së bashku me gruan, na pa një polic dhe na pyeti çfarë kishte ndodhur. Aty bëmë sërish denoncim nga fillimi.

Në dhomën e Ilarias ishin kompjuteri, laptopi, dokumentet dhe portofoli që Ilaria nuk i kishte marrë me vete.

Nga kompjuteri kërkojmë ku mund të ishte telefoni i saj, ishte im bir që kërkonte dhe gjeti që telefoni ishte në shtëpinë e Markut. Të hënën nisën kërkimet e vërteta.

Ne si prindër kishim një ide për lidhjen e tyre por nuk ishim dakord që historia të vinte pasi siç i kishim thënë edhe vajzës, nuk kemi lidhje me filipinasit apo raca të ngjashme.
Por Ilaria na kishte thënë që nëse ata do të ndaheshin, duhet të ishte ajo që vendoste.
ishin bashkë për 1.5 ose 2 vite. Ilaria kishte kërkuar pauzë në marrëdhënien e tyre. Ai e ka mashtruar gjithmonë time bijë. I kishte thënë studion në dy fakultete kur në fakt nuk ishte asnjë e vërtetë”, tha ai.