Tre shtetas turq, të moshave 19, 21 dhe 22 vjeç, janë arrestuar nga policia greke në aksin rrugor Kalamata-Pylos, në Mesini, pasi u kapën me lëndë narkotike. Gjatë kontrollit, autoritetet zbuluan se njëri prej tyre, 19 vjeç, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli, me urdhër të autoriteteve shqiptare.

Sipas policisë greke, gjatë kontrollit të automjetit me të cilin udhëtonin tre të rinjtë, u gjetën dhe u sekuestruan 14.7 gramë marijuanë dhe një sasi e vogël kokaine, të cilat i posedonin së bashku.

Ndërkohë, 19-vjeçari dhe 22-vjeçari paraqitën dokumente me autenticitet të dyshimtë, të cilat u sekuestruan nga policia. Nga verifikimet rezultoi gjithashtu se të dy qëndronin ilegalisht në Greqi.

Ajo që e bën më të rëndë rastin është fakti se 19-vjeçari rezultonte i kërkuar ndërkombëtarisht me “Red Notice” të Interpolit, lëshuar me kërkesë të autoriteteve shqiptare. Ai akuzohet për vrasje, si dhe për mbajtje dhe përdorim të paligjshëm të armëve të zjarrit.

Gjatë operacionit, policia sekuestroi edhe katër telefona celularë, si dhe karta identiteti dhe leje drejtimi të lëshuara nga autoritetet bullgare.

Hetimet paraprake për rastin po kryhen nga Nëndrejtoria e Prokurorisë dhe Hetimit të Krimeve në Kalamata.