Juxhin Drazhi, 34-vjeçari i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK në kuadër të operacionit “Ura”, është ekstraduar në Shqipëri pasi u arrestua më 8 gusht në Spanjë.

Në prill, GJKKO kishte vendosur ndaj tij masën “arrest në burg” për trafikim të lëndëve narkotike në Norvegji dhe Belgjikë, si dhe për pjesëmarrje në një grup të strukturuar kriminal.

Drazhi konsiderohet pjesëtar i grupit të drejtuar nga Elvis Doçi, i njohur si “Visi i Pojës”. Ai u lokalizua nga autoritetet spanjolle në një vilë luksoze në Almuñécar të Granadës, e pajisur me masa të shumta sigurie dhe e pozicionuar në një terren të ngritur për të monitoruar çdo lëvizje të policisë.

Emri i tij lidhet gjithashtu me zhdukjen dhe vrasjen e Miklovan Dakajt, i cili rezultoi i humbur në maj dhe u gjet i pajetë në fillim të shtatorit në Marbella. Hetuesit e konsiderojnë Drazhin personin e fundit që e ka takuar Dakajn përpara se të zhdukej.

SPAK kishte sekuestruar më herët kompaninë e tij “Majestic Construction” dhe nëntë prona të tjera në kuadër të operacionit.

Operacioni “Ura”, finalizuar më 21 maj, kishte në shënjestër tre grupe kriminale me aktivitet në trafikimin ndërkombëtar të kokainës dhe heroinës, pastrim parash dhe shpërdorim detyre. Hetimet nisën në vitin 2016 dhe u intensifikuan në 2020, duke zbuluar rrjete që trafikonin drogë drejt Italisë dhe vendeve të tjera të Evropës.

Përmes përgjimeve dhe komunikimeve të koduara SkyECC, u dokumentuan transaksione cash deri në 5 milionë euro. Paratë e trafikut futeshin në ekonomi përmes kompanive të ndërtimit, mediave, transportit dhe bareve.

Më 28 qershor, nën urdhër të SPAK, GJKKO sekuestroi 21 pasuri me vlerë rreth 12 milionë euro në Durrës dhe zonat përreth. Ndër to, 10 i përkisnin “Visit të Pojës”, ndërsa pjesa tjetër ishte në pronësi të Ervin Zeqirit dhe Nazmi Shahinit, i lidhur me Juxhin Drazhin.

Gjithashtu, në Itali u sekuestruan 9 apartamente, 4 kompani, 7 llogari bankare dhe 3 makina.