Ish-deputeti Ervin Salianji është liruar ditën e sotme nga burgu, pas 10 muajsh në qeli. Deputeti i tij, Ledio Braho ka folur për këtë vendim në emisionin “Shqipëria Live”.

Ai tha ka ndikuar sjellja e mirë e Salianjit në burg, por edhe qëndrimi pozitiv i Prokurorit të çështjes, duke sjellë lirimin. Sipas Brahos, duke qenë se Salianji ka një ndalim 5-vjeçar për të mos ushtruar aktivitet publik, nuk kishte kuptim që ai të qëndronte në qeli.

“E prisja këtë vendim sepse ishin plotësuar të gjitha kushtet për lirimin me kusht. Ndikoi dhe qëndrimi pozitiv nga Prokurori. Ishte një vendimmarrje e drejtë, ndoshta i vetmi vendim i drejtë për këtë çështje. Salianji duhet të kryente 2/3 e dënimit, ndërsa deri më sot kishin kaluar ¾. Nuk kishte asnjë pengesë, plus duhet shtuar që ka patur një sjellje të mirë në burg. Salianji ka dhe 5 vite ndalim për të kryer aktivitete publike, kështu që nuk kishte më kuptim të qëndronte në qeli.

Salianji humbi dhe mandatin. Çështja do dërgohet në Kushtetuese por edhen ë Gjykatën ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Shpresojmë të gjejmë drejtësi diku, sepse Salianji ka bërë vetëm një denoncim publik dhe qëllimi i tij ishte vetëm e mira publike. Salianji patjetër e priti shumë mirë. Ai nuk duhet të ishte në qeli, e më jo të vuante dënimin për një vit. Tashmë do duhet rreth një orë sa të kryhen procedurat dhe ish-deputeti do të jetë i lirë. Të mbrosh politikanët është shuëm e vështirë, aq më shumë kur duhet t’i këshillosh në sallën e gjyqit”– tha Braho.