Për gjashtë vite i ishte nënshtruar verbërisë. I vetëm, pa asnjë njeri, ky 68-vjeçar nga Korça e kishte dëmtuar njërin sy në punë, çka i mori shikimin.

Por, nga ana tjetër, i duhej të mbijetonte dhe vazhdonte të punonte, duke u mjaftuar me aq sa shikonte me një sy. Pak më vonë humb shikimin edhe në syrin tjetër për shkak të glaukomës.

“Më vunë një kapak”, tha Trajan Tiliani.

“Mund t’i kthehet shikimi 100%, se operacioni shkoi shumë mirë”, tha kirurgu okulist Ermal Simaku.

Ka qenë vendosmëria e mjekut okulist, i cili ka marrë përsipër të kryejë ndërhyrje në retinë edhe pas 6 vitesh, pasi sipas protokollit duhej kryer që kur ishte dëmtuar, por në ato kohë në spitalin publik nuk realizoheshin ndërhyrje të retinës.

“Në maj erdhi për të operuar glaukomën. E kryem atë, por planifikuam edhe ndërhyrjen në retinë”, tha Simaku.

Realizimi i ndërhyrjes në retinë në spital publik, përveç se i rikthen shikimin Trajanit, 68-vjeçar, e si Trajani ka shumë të tjerë që nuk ia dalin ekonomikisht t’u drejtohen spitaleve private, bën të mundur që këta persona të mos jenë pjesë e KEMP-it, ku shteti paguan çdo muaj për këta persona dhe kujdestarët e tyre, në rast nevoje.