Një ngjarje e rëndë është regjistruar ditën e sotme në Pogradec, ku një person ka mbetur i plagosur.

Mësohet se Joan Muçollari ka shkuar vetë në spital i plagosur dhe ka deklaruar se dy persona që lëviznin me makinë e qëlluan me armë zjarri. Muçollari ndodhet në spital në reanimacion, ndërsa policia ka bërë të mundur dhe identifikimin e autorëve.

Sipas uniformave blu, ngjarja e sotme buron nga një konflikt disa vjeçar mes Muçollarit dhe personave që i bënë atentat. Dy vite më parë u qëllua me armë drejt hotel Volorak, ndërsa i plagosuri është djali i pronarit të këtij hoteli. Dyshohet se një nga personat që ka qëlluar me armë sot, ka marrë pjesë dhe në atë atentat.

Njoftimi i policisë:

Plagosën me armë zjarri gjatë një konflikti të çastit një shtetas, identifikohen dhe shpallen në kërkim dy autorët e dyshuar të ngjarjes.

Më datë 25.04.2022, rreth orës 16:00, në Spitalin e Pogradecit është paraqitur për mjekim, jashtë rrezikut për jetën, i dëmtuar në këmbë  shtetasi J. M., i cili dyshohet të jetë plagosur në lagjen “Voloreka”, me armë zjarri tip pistoletë, gjatë një konflikti të çastit, nga dy shtetas të tjerë.

Menjëherë në vendngjarje, kanë shkuar shërbimet e policisë dhe nga veprimet e para u bë e mundur identifikimi i dy autorëve të dyshuar konkretisht shtetasit F. B. dhe G. M.

Nga ana e Policisë janë ngritur pika kontrolli dhe po punohet për kapjen e tyre dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes.