Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka shprehur sot dhimbjen e thellë për ndarjen e parakohshme nga jeta të Elisabeta Katijajt dhe Eorda Sinollarit, duke i cilësuar ato si dy gra plot dritë dhe energji, që i kushtuan kohën dhe talentin e tyre Shqipërisë dhe diasporës shqiptare.
Në një postim publik, Spiropali thekson se Elisabeta Katijaj ishte një forcë e vërtetë e komunitetit të biznesit shqiptar në diasporë, ndërsa Eorda Sinollari një profesioniste e re, e cila kontribuonte me dije dhe frymë të re përmes Programit “Brain Gain” të GIZ-it.
Ministrja bën të ditur se, në shenjë nderimi dhe respekti për figurën dhe kontributin e Elisabeta Katijajt, Samiti i 6-të i Gruas në Diasporë, që pritej të mbahej në Parma, do të shtyhet për një kohë tjetër.
Ajo shprehet se ishte planifikuar të ishte së bashku me Elisabetën në këtë aktivitet, por largimi i saj i beftë e bëri të pamundur realizimin e këtij takimi.
Në këtë moment të vështirë, Spiropali u shpreh pranë fëmijëve të mitur, familjarëve, miqve dhe të gjithë atyre që i njohën dhe i çmuan dy të ndjerat, duke përcjellë ngushëllimet më të sinqerta.
“I lehtë iu qoftë dheu!”, përfundon mesazhi i saj.
