Biznesmeni italian Colonico P. është dënuar me katër vite burg, pas një vendimi të dhënë nga gjykata në përfundim të procesit ndaj tij për prodhim, posedim dhe trafikim të instrumenteve të përdorura në falsifikimin e monedhës. Operacioni që çoi në arrestimin e tij u zhvillua në fund të nëntorit, ndërsa ai u kap fillimisht në shtator në një kompleks banimi privat në Samborondón, në provincën Guayas.

Sipas mediave ndërkombëtare, autoritetet dyshojnë se Colonico P. kishte lidhje me mafian shqiptare që operon në Ekuador. Ndërkohë, deri më tani gjatë vitit 2025, 1,812 personave u është ndaluar hyrja në vend nga organet e sigurisë. Gjatë bastisjes në banesën ku ndodhej biznesmeni, policia zbuloi tufa kartëmonedhash të falsifikuara, pasaporta dhe dokumente të tjera të prodhuara në mënyrë ilegale.

Në gjykatë, prokuroria e akuzoi Colonico P. për posedimin e 394,700 dollarëve të falsifikuar, të cilat u gjetën brenda një kutie të mbyllur. I pandehuri e mohoi akuzën, duke pretenduar se kartëmonedhat ishin “shfaqur” vetëm pak minuta para mbërritjes së policisë dhe se ai gjendej aty thjesht si vizitor i një miku.

Megjithatë, prokuroria paraqiti prova që përfshinin biseda dhe video të sekuestruara gjatë hetimit, ku diskutohej për pako parash të marra nga qindra banka. Sipas tyre, pamjet tregojnë një person që i ngjan Colonico P., i cili teston monedhat e falsifikuara. Bazuar në këto prova, si dhe në dëshminë e ekspertëve, gjykatësi shpalli vendimin, duke e dënuar me katër vjet burg dhe duke e detyruar të kërkojë falje publike.