Kryetari i “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, menjëherë pas përfundimit të protestës së Partisë Demokratike, u rikthye para Kryeministrisë në bulevard për të vijuar protestën e lëvizjes së tij, që ka nisur prej 16 ditësh.

Ai bëri edhe një deklaratë nga sheshi ku vendosi edhe një herë karriget që ishin larguar më herët për protestën e selisë blu. Lapaj “thumboi” edhe protestën e PD-së, duke nënvizuar se “regjimi nuk mundet me kapsolla” dhe se “duhet qëndresë”.

“Për dy orë hymë në rezistencën e 16-të. Rama dhe regjimi i tij mundet me rezistencë nuk mundet dot me kapsolla. Se po të jetë për kapsolla kanë më shumë këta, të jetë për dhunë kanë më shumë këta. Këta munden vetëm me masivitet qendrëstaresh. Do qëndrojmë këtu dhe do kërkojmë masivitet qytetarët për ta bllokuar. Unë vazhdoj në protestë, t’i thua të ftuan në protestë… Unë jam 15 ditë në protestë. Kjo është protesta. Është shumë me rëndësi që të kuptojmë që rezistenca, është pika e kthesës përballë këtij regjimi që ka marrë peng vendin. Kjo përkon qëndresë, të mblidhemi këtu dhe ky dhjetor të mos i ndalë asnjë moment. Rama mundet nëse kemi fëmijët përdore duke u përballur me të”– tha ai.

Lapaj nënvizoi se shqiptarët kanë një armik të përbashkët, të harronin ngjyrat partiake dhe të përballeshin si qytetarë ndaj regjimit. Ai i bëri thirrje qeverisë për dorëheqje dhe qeveri teknike, që do e çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja.

“Ne kemi një armik të përbashkët të Republikës, që është Edi Rama. Mund të kemi mendime të ndryshme, ngjyra të ndryshme e parti të ndryshme, por kemi një hall të përbashkët, e të gjithë duhet të jemi bashkë kundër regjimit të hajdutërisë. Të bashkohemi të gjithë e të ndryshojmë historinë. Të shpëtojmë atdheun që është marrë peng. Fuqia jonë është rezistenca dhe qëndresa ndaj këtij regjimi. Ne kërkojmë dorëheqje dhe qeveri teknike”, tha Lapaj.