Familja Nikulaj ka vendosur të nxjerrë nga ngujimi të afërmit e Edmond Haxhisë, të cilët pas vrasjes së Nikulajt u mbyllën në shtëpi prej frikës së një gjakmarrjeje. Për të shmangur një tjetër tragjedi, familja Nikulaj ka vendosur të lërë gjithçka në dorë të drejtësisë dhe të mos veprojë në vetëgjyqësi.

Kështu, fatmirësisht merr fund një sagë e gjatë vrasjesh, të nisura që nga viti 1997 mes dy fiseve. Kjo tërheqje e familjes Nikulaj vjen pas reagimit të shpejtë të policisë, që arriti të zbardhë vrasjen e Ardianit dhe të vërë fajtorët para drejtësisë. Tashmë është bërë i mundur arrestimi i Edmond Haxhisë në Angli dhe i tre bashkëpunëtorëve të tij.

Autoritetet shqiptare po plotësojnë dosjen në ngarkim të këtyre personave për të bërë të mundur sjelljen e tyre para drejtësisë sonë, pasi ata akuzohen për një nga ngjarjet më të rënda të ndodhura në vendin tonë kohëve të fundit. Janë siguruar pamje të shumta filmike, që vërtetojnë se këta shtetas janë autorët e ngjarjes, teksa nuk mungojnë as provat shkencore dhe një sërë dokumentesh.

Edmond Haxhia, Thomas Mithan, Steven Hunt, Harriet Bridgeman të akuzuar si bashkëpunëtorë e informatorë në lidhje me vrasjen janë vënë në pranga në Londër dhe brenda datës 5 maj. Shqipëria duhet të përkthejë në anglisht provat dhe t’ia dërgojë Britanisë së Madhe për të bërë të mundur ekstradimin e tyre. Ndërsa në kërkim vijojnë Ruben Saraiva, që është ekzekutori i Nikulajt, dhe Harry Simson.

Vrasja u zbardh vetëm një javë pasi ndodhi. Edmond Haxhia akuzohet se solli në Tiranë 4 britanikët e portugezin për të mbyllur hesapet e gjakmarrjes, që kishte të hapura me fisin Nikulaj, që nga viti 1997. Haxhia është kushëri me vëllezërit Lekstakaj, që jetojnë në Londër dhe akuzonin Nikulajn se u kishte vrarë xhaxhain dhe nipin. Shpresohet që saga e vrasjeve mes dy fiseve të ketë marrë fund.