Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Ilir Alimehmeti, deklaroi se mbështet kërkesat e protestuesve, duke theksuar se dorëheqja e kryeministrit Edi Rama mbetet kërkesa kryesore e tyre.

Sipas tij, një dorëheqje e kryeministrit Edi Rama do të hapte rrugën për një qeveri kalimtare që do të organizonte zgjedhje të reja.

Megjithatë Alimehmeti pranon se gjasat që kjo të ndodhë janë të ulëta, pasi sipas tij vendime të tilla kërkojnë burrëri. Alimehmeti u shpreh: “Kërkesat që protestuesit kanë i kanë shumë të qarta dhe unë i mbështes. Dorëheqja e Edi Ramës është kërkesa e parë, plus katër ligjet. Dorëheqja do ta mbyllte, se do të thoshte se u arritën rezultatet. Qeveria e përkohshme, kalimtare, kujdestare, tranzitore, teknike, që do ta çonte vendin në zgjedhje të tjera dhe do t’i jepte mundësinë edhe një partie të re që të paraqitej në zgjedhje, ky është një nga skenarët. Sa janë përqindjet që kjo të ndodhë? Patjetër që janë të ulëta. Që të japësh dorëheqjen në radhë të parë duhet të jesh burrë, e kam thënë këtë edhe për z.Veliaj. Duhet të kesh një farë burrënie”.