Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dje në mesditë, ku një nxënës i shkollës 9-vjeçare “Bajram Curri” në Kukës ka mbetur i plagosur pranë ambientit të shkollës. Ngjarja ka ndodhur në oborrin e shkollës, ndërsa përballë saj po bëhej rikonstruksioni i plotë i shkollës së vjetër, e cila po kthehet në shkollë profesionale.

Nxënësi 11-vjeçar ishte duke luajtur me top në oborr kur topi ka rënë pranë kantierit të ndërtimit. Kur ka tentuar të marrë topin, materiale inerte kanë rënë mbi trupin e tij. Nxënësi është dërguar menjëherë në urgjencën e spitalit të Kukësit dhe më pas në spitalin e Traumës për mjekim më të specializuar. Sipas burimeve, në zonën e punimeve mungonin masat e duhura të sigurisë teknike, dhe pas ngjarjes është bërë izolimi i plotë i kantierit.

Ngjarja ende nuk është raportuar zyrtarisht nga Policia e Kukësit, por Inspektoriati i Punës ka ndërhyrë dhe ka bllokuar punimet në godinë, duke vendosur shiritat e sigurisë për shkak të kushteve të papërshtatshme teknike dhe mungesës së masave mbrojtëse.

Policia ka nisur procedimin për punonjësin e firmës që po kryente punimet, 26-vjeçarin K. K., për veprën penale “Plagosja e lehtë nga pakujdesia”. Ai akuzohet se gjatë hedhjes së materialeve inerte, ka shkaktuar dëmtimin e nxënësit që kishte kaluar perimetrin e sigurisë. Fatmirësisht, fëmija është në gjendje të stabilizuar dhe nuk ka rrezik për jetën.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kukës referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi për shtetasit:

-K. K., 26 vjeç, banues në Kukës, për veprën penale “Plagosja e lehtë nga pakujdesia”, punonjës i firmës që po kryen punimet për rikonstruksionin e një objekti pranë shkollës së mesme në qytetin e Kukësit, pasi dje, gjatë kohës që ka hedhur inerte, është dëmtuar një nxënës 11-vjeç, i cili kishte kaluar perimetrin e sigurisë. Ai po merr mjekim në Spitalin e Traumës dhe nuk ka probleme për jetën.