Denis Almadhi operohej nga tre specialistë irlandezë në qepallat e syve


Me këmbët e veta – Djali ka qenë në gjendje të mirë shëndetësore dhe operacioni ka qenë thjesht për çështje estetike. Madje, ata thonë se Denis Almadhi nuk ka qenë i shtruar në asnjë ditë të vetme në spital


Temperatura – Fillimisht u dyshua se anestezia, por pasi mjekët analizuan  simptomat në trupin e tij, vunë re se temperatura ishte 43 gradë Celsius


Irlandezët – Familjarët thonë se, një pjesë e stafit të kirurgëve kanë qenë irlandezë dhe operonin në Shqipëri prej disa kohësh si një shoqatë bamirësie


Silvana Muça


Një i mitur 11-vjeçar, ka humbur jetën, gjatë një operacioni kirurgjikal. Denis Almadhi është ndarë nga jeta, në kohën që ai i ishte nënshtruar një operacioni, në qepallat e syve. Ngjarja e rëndë, ka bërë që prindërit të akuzojnë personelin mjekësor, të cilët kanë qenë pjesë e ndërhyrjes. Ata i janë drejtuar Komisariatit Nr. 4 në Tiranë, ku dhe bënë një kallëzim, duke akuzuar mjekët për pakujdesi. Familjarët e viktimës kanë kërkuar zbardhjen e ngjarjes, në të cilën Almadhi humbi edhe jetën. Sipas tyre, djali ka qenë në gjendje të mirë shëndetësore dhe operacioni ka qenë thjesht për çështje estetike. Madje, ata thonë se Denis Almadhi nuk ka qenë i shtruar në asnjë ditë të vetme në spital. Ai ka shkuar me këmbët e tij në operacion dhe nuk ndiente asnjë shqetësim apo dhembje në trup. Burime nga policia bëjnë me dije se prindërit dyshojnë se fëmija e tyre ka humbur jetën, si pasojë e mungesës së kujdesit nga ana mjekëve. Ata kanë pretenduar se fajtorët e vdekjes së vogëlushit, janë bluzat e bardha, të cilët para se ta fusnin në operacion, kanë dhënë garanci për jetën e 11-vjeçarit. Mësohet se mjekët që asistuan në ndërhyrjen kirurgjikale të viktimës, kanë qenë të njëjtët edhe në dy operacionet e mëparshëm. Familjarët thonë se, një pjesë e stafit të kirurgëve kanë qenë irlandeze dhe operonin në Shqipëri prej disa kohësh si një shoqatë bamirëse. Por ajo që i shqetëson më tepër, të afërmit, është fakti se mjekët shqiptarë që e trajtuan, nuk kanë firmosur skedën e varrimit. Mjeku roje i reanimacionit, ku edhe është shoqëruar më pas viktima, nuk ka pranuar që ta firmosë skedën, me pretendimin se ai nuk është trajtuar në atë pavijon. Familjarët nuk kanë qenë në dijeni se në operacion kanë qenë prezentë edhe mjekët shqiptarë. Irlandezët kanë nënshkruar thjesht një relacion rreth operacionit. Menjëherë pas kallëzimit në polici, kjo e fundit ka nisur hetimet, për zbardhjen e ngjarjes. Fillimisht është sekuestruar kartela e pacientit në spital. Gjithsesi mjekët kirurgë, që kanë qenë në operacion, nuk janë marrë në pyetje nga policia, pasi ka edhe nevojë për veprime të tjera. Sipas burimeve policore, ajo që do të ndihmojnë në zbardhjen e shkaqeve të vdekjes së Almadhit, është mjekësia ligjore. Kjo e fundit do të bëjë ekspertizën, nga ku do të përcaktojë edhe shkaqet e vërteta të vdekjes së 11-vjeçarit, të cilat deri më tani janë të paqarta. Burime nga spitali bëjnë me dije se ndërhyrja kirurgjikale u krye si pasojë e problemeve që i mituri kishte në qepallat e syve. “Kjo nuk ishte hera e parë që 11-vjeçari operohej. Ai ka lindur me disa keqformime në fytyrë, e për pasojë është dashur ndërhyrja kirurgjikale, për të përmirësuar pamjen e tij. Almadhi ka bërë edhe dy operacione të tjera, të cilat kanë dalë me sukses, por në të tretin, ai është përballur me një sërë komplikacionesh. Fillimisht u dyshua se anestezia, ishte shkaku i vdekjes së Almadhit, por pasi mjekët analizuan me kujdes simptomat në trupin e tij, vunë re se temperatura kishte shkuar 43 gradë Celsius. Deri më tani, është dalë në konkluzionin se hipertermia, është shkaku i vdekjes së pacientit. Trupi i është nënshtruar autopsisë dhe fjalën e fundit e thotë mjekësia ligjore”, kanë cituar burimet, pranë spitalit francez, të pavijonit të okulistikës. Mësohet se në operacion, kanë marrë pjesë 3 mjekë irlandezë dhe 3 specialistë shqiptarë. Kirurgët e huaj, vijnë sa herë që spitali i Tiranës i kërkon, në bazë të një marrëveshjeje të bërë mes dy shteteve. Po sipas të njëjtave burime, ata kanë ardhur kur është kërkuar ndihma e tyre, në operacione të vështira, por në asnjë rast, nuk ka ndodhur ndonjë gjë e tillë. Denis Alamdhi, është djali i vetëm, i familjes Almadhi. Njëra prej dy motrave të viktimës, ka probleme me zemrën, por prindërit nuk janë në gjendje të mirë financiare, për të treguar kujdes maksimal shëndetësor.