Korçë
Thoma Nini, ish-konsull në Selanik është goditur në kokë. Policia arreston agresorin
Solidarizimi
Kolegët e mjekut të dhunuar kanë paralajmëruar një protestë kolektive, në shenjë sensibilizimi për kërcënimet ndaj bluzave të bardha
Mjeku pneumolog Thoma Nini, ish-konsull në Selanik është qëlluar me karrige në kokë në spitalin e sanatoriumit në Korçë nga një pacient, pasi ky i fundit pretendon se ai i kishte mohuar daljen në KEMP. Thoma Nini është goditur prej pacientit të tij, teksa ishte duke ushtruar detyrën dhe kryente vizitat mjekësore të mëngjesit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 09.30 të ditës së hënë në ambientet e sanatoriumit të Korçës, që funksionon i veçuar si një qendër shëndetësore nga spitali rajonal. Sipas dëshmisë, që ka dhënë vetë mjeku Nini, por edhe kolegë të tij, një pacient që ishte shtruar prej disa ditësh në sanatorium, ka reaguar befasisht me mjete të forta, duke i shkaktuar dëmtime fizike në kokë dhe në pjesë të tjera të trupit mjekut pneumo-fiziatër. “Kemi qenë duke kryer vizitat e mëngjesit, kur një pacient i shtruar prej 7 ditësh në sanatorium ka qëlluar me karrige kolegun Thoma Nini, duke e plagosur dhe duke e dëmtuar në pjesën e kokës” deklaroi një koleg i këtij mjeku. Dhunimi i mjekut Nini ka bërë që të reagojnë me shpejtësi pjesëtarë të personelit të sanatoriumit, të cilët i janë drejtuar policisë për ndihmë. Pacienti që ka goditur me karrige mjekun, 61-vjeçari Hajdar Bregu, nga fshati Libonik i rrethit të Korçës, është arrestuar për veprën penale të goditjes për shkak të detyrës. Pasi është ndaluar nga policia, i moshuari, që ishte shtruar në spital,, është mbrojtur, duke pretenduar se ka qëlluar mbi mjekun, pasi ky i fundit i kishte mohuar daljen në KEMP. “Mjeku Thoma Nini ka qenë drejtuesi i komisionit kur unë jam vizituar për të dalë në KEMP dhe ma ka mohuar padrejtësisht”, është shprehur pas arrestimit 61-vjeçari Hajdar Bregu. Ai nuk ka pretenduar për ndonjë dhënie ryshfeti ndaj mjekut, por edhe vetë Nini e ka konsideruar këtë reagim të dhunshëm të pacientit të tij si një veprim agresiv të momentit. Mjeku Thoma Nini njihet edhe si ish-kreu i degës së Partisë Demokratike për Korçën. Vitet e fundit, ai ka mbajtur detyrën e konsullit në Selanik. Thoma Nini, prej afro një viti ishte rikthyer në profesionin e tij të mjekut dhe pikërisht në sanatoriumin e qytetit. G. Ashimi