Më 12 nëntor, në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tribunalin e Romës do të mbahet gjyqi ndaj Mark Antony Samson, të riut që ka kryer vrasjen makabre të ish-të dashurës së tij, 22-vjeçares shqiptare Ilaria Sula.
Ngjarja tronditëse ndodhi në fund të marsit, kur e reja shqiptare u godit me thikë në apartamentin e familjes Samson në Romë dhe më pas u braktis në një valixhe në një shkëmb në periferi të kryeqytetit italian. Samson akuzohet për vrasje të qëllimshme me rrethana rënduese të paramendimit, motive të kota, marrëdhënie emocionale me viktimën dhe fshehje të kufomës.
Ndërkohë, nëna e Samsonit, e dyshuar për bashkëpunim në fshehjen e trupit, do të dalë para një gjyqtari më 28 nëntor për seancën paraprake dëgjimore. Për të është kërkuar një dënim prej dy vitesh burg, kërkesë që do të shqyrtohet për t’u pranuar ose jo.
Prindërit e Ilaria Sulas, Flamuri dhe Gezimea, të shoqëruar nga avokati Giuseppe Sforza, kanë mbërritur në Romë për seancën e parë. Ata janë thellësisht të tronditur, por thonë se besimi se drejtësia do të vihet në vend është i vetmi motiv që i mban në këmbë. Në sallën e gjyqit do të jenë të pranishëm familjarët më të afërt të vajzës: prindërit, vëllai, xhaxhallarët dhe të afërm të tjerë që kanë udhëtuar nga Terni për të ndjekur procesin.
Seanca e nesërme do t’i kushtohet kryesisht verifikimit të pranimit të palëve civile. Përveç familjes Sula, që përfaqësohet nga avokati Sforza, kërkesë për t’u paraqitur si palë civile kanë bërë edhe Universiteti “La Sapienza”, ku studionte Ilaria, si dhe disa shoqata që mbrojnë viktimat e dhunës.
Gjykata do të shqyrtojë legjitimitetin e këtyre kërkesave përpara se procesi të vijojë me rindërtimin e plotë të orëve të fundit të Ilaria Sulas, një histori e dhimbshme që ka tronditur opinionin publik në Shqipëri dhe Itali.
Në sallën e gjyqit pritet një atmosferë e rënduar, ndërsa detajet e vrasjes së 22-vjeçares do të rikthehen përpara togave të zeza dhe familjarëve që ende kërkojnë forcë për të përballuar tragjedinë.



