Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë një deklaratë të fortë sot në lidhje me procesin e zgjedhjes së Avokatit të Popullit. Ai ka akuzuar Endri Shabanin për manipulim të firmave të mbështetjes, duke thënë se Shabani mori firmat kur mbështeti kandidaturën e Florian Binajt, por më pas doli se ishte “i lidhur kryekëput me Edi Ramën”.
Berisha, gjatë fjalës në Kuvend, ka pranuar se Partia Demokratike ka firmosur për kandidaturën e Binajt, duke hedhur poshtë pohimet se ky kishte qenë një gabim. “Ne firmosëm për të mbështetur kandidaturën e Florian Binajt, por doli se Endri Shabani është tërësisht i lidhur me Edi Ramën. Ky është një fakt i paevitueshëm dhe tregon një tjetër lloj loje të dyfishtë”, ka deklaruar Berisha.
“Unë nuk them që nuk i mori firmat Endri Shabani. I mori në një periudhë Endri Shabani kur ai mbështeti Florian Binën, se nuk mund të them që nuk ishte një koalicion moral i plotë i të gjitha forcave politike.
Por pastaj dolën një seri problemesh që faktuan se ai që kishte atë fjalor si opozitar i opozitës, nuk ishte vetëm kaq, por ishte një person me lidhje kryekëput me Edi Ramën.
Dhe ky nuk është vetëm mendimi ynë, por është një mendim më i gjerë edhe i faktorëve të palidhur me opozitën, por që ishin dhe janë që Avokati i Popullit të jetë një person i besueshëm, një person me kredenciale dhe integritet të lartë”, tha Berisha.
“Më së paku, Endri Shabani është kryetar i një partie, nuk po marr anën tjetër. Por Komisioni i Ligjeve vendosi që deputetët nuk do kenë të drejtë të firmosin për më shumë se një kandidat. Në përputhje me këtë vendim, grupi parlamentar i PD dërgoi një shkresë në Kuvend ku e informon se tërheq çdo firmë për çdo kandidat.
Dhe, këtë vendim të Komisionit të Ligjeve, në mënyrë të habitshme, e hodhi poshtë mazhoranca pa asnjë vendim. E bëri të paqenë pa marrë asnjë vendim në asnjë institucion. Pse e bëri këtë? Se humbisnin firmat për Endrin Shabanin”, shtoi ai.
