Një 84-vjeçar nga zona e Maliqit është proceduar nga policia, pasi dyshohet se ka kërcënuar punonjës të Njësisë Administrative Libonik duke përdorur një pistoletë sportive.
Sipas informacioneve zyrtare, i moshuari me inicialet E. A., banues në fshatin Vashtëmi, është përfshirë në një konflikt verbal me punonjësit e administratës, i cili ka agravuar deri në përdorimin e armës sportive për kanosje.
Policia ka ndërhyrë për neutralizimin e situatës, ndërsa rasti po hetohet për sqarimin e plotë të rrethanave.
Njoftimi:
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal në gjendje të lirë (për shkak të moshës), për shtetasin E. A., 84 vjeç, banues në fshatin Vashtëmi, Maliq, pasi dyshohet se ka kanosur me pistoletë sportive, punonjësit e njësisë administrative Libonik, për motive të dobëta. Nga veprimet e mëtejshme procedurale, gjatë kontrollit në banesën e tij, u gjetën një armë gjahu çifte të cilën e posedonte me lejen përkatëse, një gjerdan me fishekë, dy karikatorë pistolete, 3 mjete prerëse (thika), disa krehra pushke dhe sasi municionesh të kalibrave të ndryshme, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
