Në Shijak ka ndodhur një ngjarje e rëndë plagosjeje, ku ka mbetur i plagosur shtetasi Denis Çumani. Sipas burimeve nga grupi hetimor, dyshohet se shkaku i konfliktit ka qenë një vajzë, e cila ishte në një lidhje me shtetasin Dorian Ferra.

Hetimet tregojnë se Denis Çumani ka ngacmuar vajzën, e cila ishte në lidhje me Ferrën. Gjatë natës së ngjarjes, vajza ka marrë mesazhe të vazhdueshme nga Çumanin, të cilat i kishte fshirë për të shmangur një përplasje. Megjithatë, pas insistimit të Ferrës për të mësuar identitetin e dërguesit të mesazheve, ai është informuar për situatën dhe ka vendosur të veprojë.

Dorian Ferra, së bashku me kushëririn e tij, Indrit Ferra, janë drejtuar drejt banesës së Denis Çumanit, ku dyshohet se e kanë sulmuar me grushte dhe shkelma. Hetimet e mëtejshme tregojnë se autorët e dyshuar i kanë drejtuar armën e zjarrit fillimisht në kokë dhe më pas në brinjë, duke e qëlluar një herë, duke e lënë të plagosur rëndë.

I plagosuri është transportuar fillimisht në spitalin e Durrësit dhe më pas u dërgua me urgjencë në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Aktualisht, kushërinjtë Ferra, Dorian dhe Indrit, janë larguar nga vendi i ngjarjes dhe janë shpallur në kërkim. Policia dhe Prokuroria po punojnë ngushtë për lokalizimin dhe arrestimin e tyre, si dhe për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe ndëshkimin e autorëve të dyshuar.