I akuzuar për trafikimin e rreth 50 tonë kokainë nga Amerika Latine drejt Europës Eldi Dizdari i njohur dhe si Denis Matoshi është ekstraduar nga Dubai drejt Belgjikës dhe është transferuar menjëherë në qeli.

Dizdari është dënuar me 10 vite burg nga autoritete belge për rolin e tij në trafikimin e drogës ai gjithashtu njihet me pseudonimin Shqiptari i gjatë.

Por kush është Eldi Dizdari?

Eldi Dizdari, i njohur ndryshe edhe si Denis Matoshi, ishte një nga të arrestuarit si pjesë e kartelit të kokainës që u godit nga Europol gjatë operacionit “Los Blancos”, 17 shtatorin e vitit 2020.

Dizdari, emri i të cilit u përfol në nëntor të vitit 2018, kur edhe u shpall në kërkim policor për vrasjen e ndodhur në ish-Bllok, u arrestua në Dubai. Policia e Dubait dha detaje për arrestimin e tij, si person i përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës midis Amerikës së Jugut dhe Europës.

Ai akuzohej për bashkëpunim kriminal dhe drejtim të bandës të trafikut të drogës në nivel ndërkombëtar. Eldi Dizdari konsiderohet nga Policia e Dubait si një udhëheqës i bandës shqipfolëse “Kompania Bello”, një sindikatë transnacionale e krimit të organizuar e përfshirë në trafikimin e drogës dhe operacionet e kontrabandës midis Amerikës së Jugut dhe Europës me një vlerë prej 350 milion euro. Kreu i kësaj organizate kriminale ishte Dritan Rexhepi. Duke zbuluar detajet e arrestimit, koloneli Saeed Al Qamzi, drejtori i Departamentit të Personave të Kërkuar në Policinë e Dubait, tha se ata e vendosën shqiptarin nën një vëzhgim të ngushtë për disa ditë, para se të merrnin “njoftimin e kuq” kundër tij.

Në Dubai, Eldi Dizdari u arrestua për llogari të Italisë, por nga ana tjetër ishte person i shpallur në kërkim edhe nga drejtësia Shqiptare. Afro dy muaj pas vrasjes në ish-Bllok që ndodhi 4 tetorin e vitit 2018, ku viktimë mbeti Fabiol Gaxha dhe u plagos Ervis Martinaj e Elion Hato, hetimet nisën të përqendrohen tek prishja e pazareve të drogës. Grupi hetimor u fokusua aty pasi arriti të mbledhë të dhëna të dobishme që konfirmonin një konflikt për çështje kokaine mes Ervin Matës dhe një biznesmeni që u shpall në kërkim nëntorin e atij viti. Bëhej fjalë për Eldi Dizdarin. Ai ishte identifikuar nga grupi hetimor prej disa javësh, por vetëm më 27 nëntor të vitit 2018 Prokuroria urdhëroi ndalimin e tij e për rrjedhojë Policia e shpalli në kërkim, ndonëse nuk arriti ta ndalonte asnjëherë për atë çështje.

Nga ana tjetër, oficerët që në atë kohë kryen verifikimet në kuadër të hetimit për vrasjen e ndodhur më 4 tetor 2018 në ish-Bllok, kishin siguruar të dhëna që flisnin për një krisje marrëdhënie mes Ervin Matës dhe Eldi Dizdarit. Dikur miq të ngushtë, ata ishin përfshirë në një konflikt për çështje kokaine. Të paktën në këtë përfundim patën arritur oficerët e Policisë së Tiranës.

Në dosjen e Prokurorisë theksohej se para vrasjes, para lokalit të Redi Popeskut, kishte pasur një konflikt, në kohën kur Elvana Gjata kishte shkuar të takonte të fejuarin e saj, Ervin Mata. Bëhej fjalë për disa persona që ndodheshin brenda një automjeti që kishte ndaluar paralel me makinën e këngëtares, për drejtuesin e të cilës Ervin Mata ishte shprehur se ishte mik i tij. Ndonëse nga këqyrja e kamerave të sigurisë, nuk ka rezultuar të ketë pasur sjellje miqësore mes këtyre dy personave. Më vonë burimet thanë se ishte identifikuar personi që drejtonte këtë automjet dhe ishte pikërisht biznesmeni Eldi Dizdari, i cili ishte shpallur në kërkim.

Dubai ka refuzuar ekstradimin e tij, si në Shqipëri ashtu edhe në Itali, megjithatë ekstradimi i tij është finalizuar drejt Belgjikës ku do të përballet me drejtësinë belge.