Në një material që pritet të transmetohet sot në orën 20:15 në “Exclusive” në Top Channel, zbulohet dinamika e bashkëpunëtorëve të drejtësisë në dosje të rëndësishme të krimit të organizuar në Shqipëri, ku disa të penduar japin dëshmi për ngjarje kriminale dhe përfshirjen e tyre në struktura të ndryshme.

Erjon Alibej, një nga të penduarit, dëgjohet të deklarojë se “është kryer vrasja dhe mbaj mend që kam qenë në telefon atë ditë”, duke lidhur veten me ngjarjen. Ndërkohë, Nuredin Dumani, gjithashtu i penduar, shprehet se “kur kam dalë nga burgu mora vesh që e kishin vrarë, thashë shyqyr”, duke iu referuar vrasjes së shefit të Komisariatit nr. 6, Dritan Lamaj.

Në një tjetër deklarim, Skerdi Tase, i penduar, thotë: “Ne dështuam dhe shënjestra shkoi në polici. Porositësi u ankua se i doli emri”, duke hedhur dritë mbi dështimin e një atentati. Sipas të dhënave të para, 12 të penduar po flasin për krimin e organizuar vendas dhe jo vetëm, ndërsa për disa të tjerë ftesa për bashkëpunim është ende në tavolinë.

Në material ngrihen edhe pyetje mbi funksionimin e strukturave të drejtësisë dhe mënyrën se si një vrasës kthehet në bashkëpunëtor të drejtësisë: “Çfarë ndodh brenda zyrave të SPAK? Si kthehet një vrasës në bashkëpunëtor, a pendohen vërtet ata?” Doloreza Musabelliu shpjegon se dosja është quajtur “Plumbi i Artë”, pasi plumbi që plagosi shënoi kthesën për Nuredin Dumanin. Megjithatë, theksohet se ende nuk ka asnjë të penduar për çështjet e korrupsionit. Në fund, gjyqtari Florjan Kalaja shprehet: “Në kohën e Zogut ishte më mirë e rregulluar kjo gjë.”

“I penduar në Shqipëri” transmetohet në orën 20:15 në ekranin e Top Channel.