Gjykata e Lartë ka vendosur që të mos e pranojë rekursin e bërë nga Lefter Koka, kundër Gjykatës së Apelit të Posaçëm që i ka sekuestruar pasurinë.

Burime bëjnë me dije se Gjyqtari Sandës Simoni, ka rrëzuar rekursin e Kokës për heqjen nga sekuestro preventive të kantines së pijeve alkoolike.

“Mospranimin e rekursit të paraqitur nga kërkuesi Lefter Koka, kundër vendimit të Gjykatës së Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, thuhet shkrutimisht në njoftimin e Gjykatës së Lartë.

Lefter Koka u arrestua më 14 dhjetor 2021 për aferën 4.9 milionë euro me inceneratorët në Fier dhe Elbasan. Jo vetëm në Inceneratorin e Elbasanit, por edhe në atë të Fierit sipas Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) janë shkelur procedurat për dhënien e koncesioneve por edhe janë konsumuar vepra penale nga zyrtarë deri të nivelit më të lartë.

Rreth 3.3 milionë euro pasuri e sekuestruar (1.2 Lefter Kokës, 2 milionë euro në Elbasan dhe 140 mijë euro babait të deputetit Bllako) dhe 9 masa të tjera arresti për Fierin dhe 5 për Elbasanit ishte bilanci i fundit SPAK.