Arben Malaj, një nga bashkëpunëtorët e hershëm të ish-kryeministrit Fatos Nano, është shfaqur i prekur.

Në një intervistë për “Breaking” në Top News, ai kujtoi Nanon si një lider që u kthye në pikë referimi për politikën shqiptare, teksa thasë filozofia e Nanos ishte ndarja e pushtetit për të bërë shtet.

“Ai e ka lënë një trashëgimi qoftë në PS, qoftë në drejtimin e vendit. Ai kaloi një proces nga ekonomia e centralizuar në ekonominë e tregut. Proces i vështirë. Ai i shikonte dorëheqjet si një mundësi… Ai e reformoi Partinë Socialiste. Është një moment i vështirë. Nuk kishte armiq ose miq të përhershëm. Filozofia e tij ishte duhet ndarë pushteti për të bërë shtet.

Një mësim i madh që na dha ne socialistëve, ishte pas viteve të trazirave ku ne i kërkuam që lideri i opozitës të arrestohej për shkak të ngjarjeve që ndodhën. Ai na tha se ‘Unë dua të ç’mitizohem jo të mitizoj të tjerët. Nuk do e trazoj politikën shqiptare’.

Nano u bë pikë referimi për Shqipërinë. Shpërbërja e Firmave Piramidale nuk mund të bëhej në kohë aq të shkurtër pa mbështetjen e tij.

Pastaj, batutën e kishte armën e tij më të fortë. Mbaj mend në një mbrëmje… dikush tha që ‘a ka mundësi të flasë më thjesht kryetari’, dhe në thamë ‘po nuk foli ashtu, nuk është Nano’. Ai i njihte dhe i donte socialistët. Ishte modeli më i mirë që arriti në terren të vështirë të krijonte një parti demokratike. Të krijonte modelin e një lideri që jepte dorëheqjen. U nda nga politika në 2005, duke e dhënë lajmin nga kryeministria. Nuk u kthye më si disa të tjerë.  Nuk ishte lider që mbante inat, që donte të ndëshkonte.”- tha Malaj.