Një aksident i rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në aksin rural Fier–Shegan–Pushimi i Shoferit, ku një 45-vjeçare nga fshati Toshkëz ka përfunduar me plagë të shumta pas rrëzimit nga motoçikleta që po drejtonte.
Gruaja, e identifikuar si M.D., po kthehej nga puna kur humbi kontrollin e mjetit dhe doli nga rruga. Si pasojë, ajo pësoi dëmtime serioze në kokë dhe trup dhe u transportua me urgjencë drejt spitalit të Lushnjës, ku po mbahet nën kujdesin e mjekëve.
Policia e qarkullimit rrugor njofton se 45-vjeçarja nuk kishte vendosur helmetë mbrojtëse, gjë që e përkeqësoi gjendjen e saj. Nga dëshmia e dhënë përpara uniformave blu, gruaja tha se kishte devijuar nga rruga për t’iu shmangur një dhelpre që i kishte dalë papritur përpara.
Ngjarja është dokumentuar nga policia, ndërsa gjendja shëndetësore e 45-vjeçares mbetet e rëndë por e qëndrueshme.