Drejtësia spanjolle ka dënuar me 20 vite burg një shtetas shqiptar, i shpallur fajtor për vrasjen e një të riu 25-vjeçar në Galici, pas një konflikti që nisi në ambientet e një klubi nate.
Florian Rama u dënua nga Gjykata Provinciale e Pontevedrës për ngjarjen e ndodhur në qershor të vitit 2019 në Salceda de Caselas, ku humbi jetën Soufian Mahra.
Sipas dosjes hetimore, sherri mes dy të rinjve nisi pasi viktima i kishte derdhur aksidentalisht një pije autorit brenda lokalit. Pak çaste më vonë, konflikti degradoi jashtë ambienteve të klubit, ku shqiptari sulmoi 25-vjeçarin me thikë.
Gjykata vlerësoi se sulmi ishte kryer në befasi dhe me qëllim vrasjeje, duke theksuar se viktima nuk pati asnjë mundësi të mbrohej. Goditja fatale rezultoi ajo në gjoks, e cila i preku zemrën.
Sipas mediave spanjolle, i riu, edhe pse i plagosur rëndë, arriti të ecte disa metra duke tentuar të ndiqte agresorin, por më pas u rrëzua për shkak të gjakderdhjes së madhe.
Trupi gjykues theksoi gjithashtu se autori u largua menjëherë nga vendi i ngjarjes pa i dhënë ndihmë viktimës dhe më vonë u arratis nga Spanja drejt Mbretërisë së Bashkuar, ku u arrestua.
Përveç dënimit me burg, gjykata vendosi që Florian Rama të paguajë mbi 214 mijë euro dëmshpërblim për familjen e viktimës. Vendimi përfshin gjithashtu ndalimin e rikthimit të tij në Spanjë për 10 vite pas lirimit eventual me kusht.
