Një aksident tragjik ka ndodhur tre ditë më parë në Siçili të Italisë, duke rezultuar me një viktimë dhe gjashtë të plagosur. Përplasja mes një automjeti dhe një kamioni që transportonte fruta dhe perime ndodhi në autostradën Naro–Camastra, në orët e para të mëngjesit të 1 marsit.
Viktima e aksidentit është 24-vjeçari shqiptar, Flori Topalli, emigrant në Itali. Familjarët e tij kanë bërë apel për ndihmë financiare për të mundësuar transportimin e trupit të tij drejt Shqipërisë, ku do të zhvillohet ceremonia mortore.
Të plagosurit janë gjithashtu shtetas shqiptarë, dhe gjendja më e rëndë paraqitet për shoferin 39-vjeçar të automjetit ku udhëtonte viktima. Ai fillimisht u dërgua në spitalin “Barone Lombardo” në Canicattì, por më pas u transferua në Villa Sofia Hospital në Palermo për trajtim më të specializuar. Sipas raporteve të mediave italiane, mjekët janë të rezervuar për gjendjen e tij shëndetësore.
Të plagosurit e tjerë po marrin trajtim në spitalet e Canicattì dhe Agrigento dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Sipas informacioneve, pesë punëtorët shqiptarë të përfshirë në aksident jetonin në zonat e Canicattì dhe Naro. Ata ishin të moshës nga 24 deri në 39 vjeç dhe kishin mbërritur së fundmi në Itali, ku punonin në sektorin e bujqësisë sezonale. Karabinierët italianë kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet dhe dinamikën e këtij aksidenti fatal.
