Një 23-vjeçar shqiptar është arrestuar në Melzo të Italisë, pasi gjatë një kontrolli nga karabinierët u përpoq të fshihte identitetin e tij duke paraqitur dokumentet e vëllait binjak. Gjatë kontrollit të automjetit, policia zbuloi rreth 40 gramë kokainë të ndarë në doza.

Sipas mediave italiane, ngjarja ndodhi të enjten, më 22 tetor, kur efektivët e stacionit të karabinierëve në Melzo ndaluan një automjet të vogël, brenda të cilit ndodhej i riu. Kur iu kërkuan dokumentet e identifikimit, ai paraqiti ato të vëllait binjak. Megjithatë, sjellja e tij ngjalli dyshime te efektivët, të cilët vendosën të kontrollonin automjetin.

Gjatë verifikimeve, karabinierët zbuluan dy enë cilindrike të vendosura poshtë timonit. Brenda tyre u gjetën disa doza kokaine të paketuara dhe të mbyllura hermetikisht, me një peshë totale prej rreth 40 gramësh. 23-vjeçari u shoqërua në komisariat, ku iu nënshtrua verifikimeve fotografike dhe daktiloskopike, të cilat konfirmuan identitetin e tij të vërtetë.

Ai akuzohet për mbajtje të lëndëve narkotike me qëllim shitjen dhe deklarim të rremë të identitetit përpara një zyrtari publik. Pas seancës së vleftësimit të arrestimit, ndaj të riut u caktua masa e sigurisë “arrest në shtëpi”, me vendosjen e byzylykut elektronik.