Pas disa ditësh protestë përpara Parlamentit të Greqisë në Athinë, shqiptari Pano Ruçi ka arritur të dëgjohet nga autoritetet greke. Prokurorja e Larissës ka urdhëruar zhvarrosjen e trupit të djalit të tij, Denis Ruçi, 22 vjeç, një nga 57 viktimat që humbën jetën në aksidentin hekurudhor tragjik të ndodhur në Tempi.

Vendimi u mor pas kërkesës së bërë nga Pano Ruçi, i cili ka shprehur dyshime mbi mënyrën e identifikimit të trupit të të birit dhe ka kërkuar kryerjen e një analize të re të ADN-së, si dhe hetime më të thelluara mbi shkaqet e vdekjes.

Megjithatë, menjëherë pas publikimit të vendimit, Pano Ruçi deklaroi për mediat greke se urdhri për zhvarrim “nuk është ajo që kam dëshiruar”. Ai theksoi se kërkesa e tij nuk kufizohet vetëm në identifikimin përmes ADN-së, por përfshin edhe analiza të tjera si ato toksikologjike dhe veprime administrative që do të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të shkaqeve të vdekjes së Denis Ruçit.

Ruçi konfirmoi se do të vazhdojë grevën e urisë, duke theksuar se kërkon drejtësi për djalin e tij dhe transparencë nga autoritetet.

Prokurorja e Larissës pritet të shqyrtojë edhe kërkesat e familjarëve të tjerë të viktimave të aksidentit hekurudhor në Tempi, të cilët gjithashtu kanë shprehur dyshime dhe kërkojnë zhvarrosjen e trupave të të afërmve të tyre për hetime të mëtejshme.