Gjykata ngrin 3 milionë euro që u ngritën nga trafiku i drogës i Elton Deliut
Sokol Çobo
Katër vjet pas vrasjes, me vendim të gjykatës, familjarëve të Elton Deliut i sekuestrohet pasuria që kap vlerën e 3 milionë eurove, të cilat dyshohet se ishin ngritur nga trafiku i drogës. Pasuria është investuar në troje, apartamente, dyqane dhe vila, kryesisht në Tiranë dhe Durrës, ndërsa mësohet se këto prona administroheshin nga familjarët e viktimës, i cili u vra më 27 dhjetor 2008. “Prokuroria e Tiranës, mbi bazën e materialit të Policisë së Tiranës, ka regjistruar procedimin penal nr. 4737, viti 2012, për veprën penale të pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale. Nga informacioni i referuar nga policia dhe nga verifikimet e kryera në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, në banka të nivelit të dytë, si edhe pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor, rezulton se, në emër të shtetasit Elton Deliu, si edhe të disa personave të afërm me të (të rrethit familjar dhe shoqëror), janë të regjistruara pasuri, të cilat nuk justifikohen nga pikëpamja ekonomike dhe dyshohen si të prejardhura nga aktiviteti kriminal i shtetasit Elton Deliu”, thanë burimet zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme.
Pronat
Në emër të familjare të Deliut figurojnë 37.000 m2 sipërfaqe toke në periferi të Tiranës, si dhe 3 lokale në Tiranë (2 në rrugën ‘Myslym Shyri’ dhe 1 në Rrugën e Dibrës. Gjithashtu janë 3 apartamente në Tiranë, 1 vilë në Durrës dhe 4 automjete, njëri prej të cilëve furgon i blinduar. “Këto pasuri administrohen nga shtetasit A. Musaraj dhe A. Sako. Gjithashtu, janë evidentuar pasuri të dyshuara si të prejardhurave nga aktiviteti i shtetasit Elton Deliu, të regjistruara në emër të shtetasve F.Deliu, A. Musaraj dhe A.Sako, të cilët kanë pasur lidhje të afërta me të.
Në emër të shtetases F.Deliu, e cila është e ëma e Elton Deliut, e ekzekutuar në të njëjtën ditë me të birin”, pohojnë burimet nga akuza. Sipas tyre, në emër të saj figurojnë 12.300 m2 sipërfaqe toke në Durrës, llogari në dy banka, nëpërmjet të cilave ka kryer gjatë vitit 2008 transaksione në vlerat 650.000 euro dhe 954.000 USD.
Ndërkohë, në emër të shtetases A.Musaraj, rezultojnë të regjistruara: 2 automjete, 5000 m2 sipërfaqe toke, të cilat rezultojnë të regjistruara në ZRPP në emër të shtetasit A. Sako, por që i kanë kaluar me kontratë shitjeje shtetases A.Musaraj. gjithashtu, kjo shtetase ka një aktivitet privat, person fizik (lokal), debitor pranë organeve tatimore. “Në emër të shtetasit A.Sako, rezultojnë të regjistruara 3 automjete, 1 apartament, 2400 m2 sipërfaqe toke, si dhe një lokal, i rregullt në pagesën e detyrimeve”, thuhet në njoftimin e akuzës qendrore.
Vrasja
Flutura dhe Elton Deliu janë ekzekutuar pasditen e 27 dhjetorit 2008 në apartamentin në zonën e ish-bllokut. Autorët kanë qenë të mirorganizuar. Ata janë veshur si punonjës të mirëmbajtjes së ashensorëve dhe kanë shkuar në një zonë të populluar, pa u vënë re nga askush. Ata kanë trokitur në derën e familjes Deliu dhe pas disa çastesh i kanë vrarë të dy. Dyshohet se kanë pasur pistoleta me silenciator. Autorët nuk kanë bërë asnjë zhurmë dhe qetë-qetë kanë zbritur poshtë pallatit dhe janë larguar pa lënë asnjë gjurmë. Ka pasur dyshime se vrasja e dyfishtë është bërë për trafikun e drogës, për ndarjen e “fitimeve”. Megjithatë, ngjarje ende vazhdon të jetë e pazbardhur.
Vendimi
“E mori peng për lekët e Elton Deliut”
Merr peng dhe kërcënon me jetë “borxhliun” e djalit të hallës së tij, Elton Deliu, i cili është vrarë disa vite më parë në banesë së bashku me nënën e tij, ndërsa Gjykata e Tiranës e dënon me gjobë 300 mijë lekë. Florian Ç., akuzohet se ka marrë peng Syrja Xhelin, pasi pretendon se ky i fundit i kishte borxh kushëririt të tij, të vrarë në 2008-n, një shumë prej 20 mijë eurosh. Burime nga gjykata bëjnë me dije se kallëzuesi Syrja Xheli prej disa muajsh ka pasur konflikt me Florianin. Ky i fundit i kërkonte një shumë të konsiderueshme parash dhe Syrja Xheli nuk pranonte t’ia jepte, duke pretenduar se ky lloj borxhi nuk ekzistonte. Si pasojë e kësaj, në ditët e para të muajit prill të këtij viti, Floriani ka ndaluar me një mjet tip “Benz Mercedes”, përpara dyqanit të Syrja Xhelit dhe i ka kërkuar atij që të shkonte me të në makinë, për të sqaruar një mosmarrëveshje që kishte lindur mes tyre. Ai i ka kërkuar të hipte në makinë dhe të shkonin që të sqaronin problemin me Enver Ç., i çili ishte xhaxhai i të pandehurit.