Një ngjarje me ndikim të fortë social është zbuluar nga Prokuroria e Sarandës, ku një shtetas është arrestuar pasi dyshohet se i ka shitur kokainë një vajze të mitur.

Personi i arrestuar është O.L., ndaj të cilit është vendosur masa e sigurisë “arrest në burg”. Sipas Prokurorisë, ngjarja ka ndodhur në maj të këtij viti dhe veprimi konsiderohet me rrezikshmëri të lartë për shoqërinë.

Procedimi penal ndaj tij u hap më 18 maj, ndërsa vetëm një ditë më pas, u kërkua dhe u pranua masa e arrestit. Më 26 maj, policia e arrestoi të dyshuarin në Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin Nr. 2. Ndërkohë, më 28 maj, gjykata vendosi që ai të qëndrojë në paraburgim.

O.L. akuzohet për shitje të lëndëve narkotike, vepër penale e parashikuar nga neni 283/1 i Kodit Penal.