Dy vrasje të bujshme u zbardhen dje nga SPAK, ndërsa gazeta SHQIP zbuloi detaje ekskluzive nga dosja hetimore ku tregohej sesi vepronin porositësit, organizatorët dhe ekzekutorët.


Për vrasjet e Vjadin Lames dhe Klodian Sotos SPAK akuzon Emiljano Shullazin, Lulzim Berishën, Plarent Dervishin, Indrit Taullain, Viktor Ymerin, Luftar Reçin dhe Indrit Rusin.


Por si u kthye hasmëri miqësia mes Klodian Saliut dhe Lulzim Berishës


Vëllai i viktimës, Klodian Saliut, Ndriçimi është shprehur në vitin 2006 se Lulzim Berishën e njihte si shokun e vëllait, i cili kishte qenë edhe për qokë në shtëpinë e tyre kur Saliu kishte dalë nga burgu në vitin 2002.


“Unë e kam njohur Lulzim Berishën nga afër si shokun e vëllait tim. Ata kanë qenë shokë por kohët e fundit ishin ftohur. Di që kur ka dalë Klodi nga burgu në vitin 2002 ka ardhur tek shtëpia jonë për qokë. Kur vëllai im u vra, Lulzim Berisha nuk ka ardhur në varrim, as ai dhe as shokët që rrinin me të, Plaurent Dervishaj dhe Indrit Taullai. Lidhur me shokët e vëllait tim nuk di të kenë pasur konflikte. Unë menjëherë sa kam mësuar ngjarjen kam shkuar në spital.


Osman Truma është nga Durrësi dhe ka shumë që rri në Itali me prindërit. Dua të them se këtë shtetas unë e kam takuar pas tre ditësh në spitalin e Durrësit dhe ai atje më ka treguar se së bashku me Klodin ishin nisur për në Tiranë dhe do pinin kafe. Në momentin kur kanë qenë në afërsi të Maminasit, Klodi e kishte kapur dhe futur poshtë vetes duke i thënë se na vranë. Unë e pyeta a pe ndonjë person apo fiksove ndonjë makinë dhe ai më tha se nuk e kishte mendjen dhe vetëm kam parë një makinë që erdhi paralel me makinën tonë dhe kishte ngjyrë të zezë”, është shprehur Ndriçim Saliu në vitin 2006.