Një 30-vjeçar shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar është ekstraduar nga Dubai drejt Shqipërisë, pas bashkëpunimit mes autoriteteve shqiptare dhe atyre të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Sipas Policisë së Shtetit, procedura e ekstradimit të shtetasit B. (H.) (A.), lindur në Kukës, u finalizua në kuadër të operacionit të koduar “The Wanted”.
30-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi në vitin 2024, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Ai akuzohet për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Dhuna në familje”.
Ekstradimi u realizua pas koordinimit informativ dhe operacional ndërmjet specialistëve të Drejtorisë së Interpolit dhe homologëve të Interpol Abu Dhabit.
