Një shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar është arrestuar nga policia italiane në Moncalieri, pas tre vitesh arrati.

Sipas mediave italiane, 35-vjeçari u ndalua gjatë një kontrolli rutinë në rrugë, ku fillimisht tentoi të mashtronte autoritetet duke paraqitur një kartë identiteti dhe një patentë spanjolle të falsifikuara.

Megjithatë, verifikimet e kryera më pas në komisariatin e Torinos zbuluan se dokumentet ishin të falsifikuara dhe ishin përgatitur për t’i shmangur kontrollet brenda vendeve të Bashkimit Europian.

Nga hetimet rezultoi se shqiptari ishte në kërkim për vepra të rënda penale, përfshirë përfshirje në vrasje dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.

Autoritetet italiane bëjnë me dije se ai ishte dënuar edhe nga Gjykata e Tiranës me më shumë se tre vite burg për armëmbajtje pa leje dhe aktivitete të tjera të paligjshme.

Aktualisht, 35-vjeçari ndodhet në paraburgim në Itali, ndërsa pritet të përfundojnë procedurat për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.