Një 39-vjeçar ka mbetur i plagosur mbrëmjen e sotme në Velipojë, pasi tubi i gazit të një mjeti lundrues ka shpërthyer aksidentalisht gjatë momentit që po zbritej nga karroceria.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:00, pranë Stacionit të Policisë Kufitare Velipojë. Sipas të dhënave paraprake të Policisë, i plagosuri është shtetasi me inicialet E. N., 39 vjeç.
Dyshohet se gjatë procesit të zbritjes së mjetit lundrues nga karroceria ka ndodhur shpërthimi aksidental i tubit të gazit, duke i shkaktuar 39-vjeçarit djegie në trup.
Pas incidentit, i plagosuri është transportuar në Spitalin Rajonal të Shkodrës, ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore.
Për shkak të nevojës për trajtim më të specializuar, 39-vjeçari është nisur më pas drejt Tiranës.
Ndërkohë, grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po vijon punën për të përcaktuar rrethanat e incidentit dhe shkakun e plotë të shpërthimit.
