Fredi Beleri ka dhënë një intervistë ekskluzive për “Shqipëria LIVE”, ditën e sotme.

Ndër të tjera, ai ka folur edhe për ditët e kaluara në qeli, për të cilat tha se ishin një periudhë e vështirë. Megjithatë, ai shtoi se gjatë kësaj kohe ka krijuar miqësi me personelin e burgut, por dhe me bashkëvuajtësit, të cilët sipas tij, e trajtonin me respekt.

Ai hodhi poshtë dhe një lajm që qarkulloi, se ai i kishte shpëtuar jetën një kryebashkiaku që kishte tentuar vetëvrasje në burg, duke thënë se është gënjeshtër.

“Jam larguar 18 vjeç nga ky vend dhe jam kthyer në vitin 2015. Sa herë kthehem në Himarë ndjej dhembshuri sepse është vendlindja ime. Himariotët më presin me respekt dhe dashuri, sepse i kam ndihmuar dhe u kam shërbyer për gjithë ato vite. Do i ndihmoj sa herë të mundem

Burgu ishte një situatë e vështirë. Edhe po të rish në shtëpi 3 ditë me grip ndihesh i izoluar. Nuk e përshkruaj dot me fjalë tani. Kanë folur njerëz për mua që nuk më njihnin fare. Mediat jetojnë për histori të tilla, i kuptoj të gjithë, edhe ata që kanë bërë shpifje për mua. Janë 4 gazetarë që vazhdojnë e thonë gënjeshtra.

Gjatë vuajtjes së dënimit jam miqësuar edhe me njerëz nga stafi i burgut, janë sjellë në mënyrë profesionale me mua, nuk mund të ankohem. Ndërkohë, të gjithë bashkëvuajtësit më shihnin me respekt, nuk kam pasur asnjë incident.

Unë nuk i kam shpëtuar jetën askujt në qeli. Është gënjeshtër, asnjë kryetar bashkie nuk ka tentuar as vetëvrasje asgjë. Këto janë trillime të mediave për të bërë lajme.”– tha ai.