Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, i ka akorduar “Certifikatë për Shërbime të Dalluara” inspektorit Marsel Bicja, i cili ndërhyri me fikse zjarri për të shuar flakët që përfshinë një person në protestën e Sali Berishës para Kryeministrisë më 22 dhjetor, pas shpërthimit të një molotovi të hedhur nga militantët e kryedemokratit.
“Në shenjë vlerësimi dhe mirënjohjeje për aktin e humanizmit dhe profesionalizmit të treguar gjatë ushtrimit të detyrës, ku me ndërhyrje të menjëhershme dhe vendimtare shpëtoi jetën e një qytetari, duke vënë në plan të parë mbrojtjen e jetës njerëzore, si një nga vlerat më të larta dhe misioni kryesor i Policisë së Shtetit”,- është motivacioni i certifikatës së dhënë inspektorit Bicja.
Certifikata iu dorëzua nga vetë Proda gjatë festës së fundvitit të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.
“Ju falënderoj për veprimin tuaj, pasi ky veprim dëshmoi edhe një herë humanizmin dhe vendosmërinë e Policisë së Shtetit për të mbrojtur jetën e qytetarëve. Vijoni me përkushtim të përmbushni me nder këtë mision, sa të vështirë, po aq edhe fisnik”,- tha Proda.
Inspektor Marsel Bicja, gjatë fjalës së tij, shprehu mirënjohje për certifikatën dhe theksoi se veproi pa u menduar dy herë, pasi mbrojtja e jetës së qytetarëve është parësore për të dhe kolegët e tij.
