Vjollca Xhafa nga Kavaja po feston ditëlindjen, e shëruar nga një problem i rëndë në zemër. Vetëm pak ditë më parë, nuk kishte shpresë për mbijetesë, kurse operacioni kishte probabilitet suksesi, vetëm 1%.
Këto pamje mund të ngjajnë si të dala nga seriali “Doktor House”, por janë çaste të vërteta dhe më të bukurat që një mjek mund të përjetojë.
10 mjekë me në krye Ndriçim Kallashin, kardiolog dhe shef i Hemodinamikës në spitalin “Memorial”, vendosën të kryejnë transplantin e një proteze në aortë, nëpërmjet aterieve periferike të zemrës.
Proçedura në terma teknikë quhet, TEVAR (Thoracic Endovascular Aortic Repair) dhe është e para e këtij lloji në një spital publik.
Pacientja, u paraqit me diagnozën e disekacionit akut të aortës të tipit B. Ekipi i mjekëve, djemtë dhe vajzat e pacientes ishin përballë dy zgjedhjeve, ta linin problemin të patrajtuar që do ta çonte drejt vdekjes ose të kryenin një operacion me vetëm 1% shans për sukses. Ndërhyrja duhej bërë urgjentisht pasi gjendja e pacientes ishte përkeqësuar.
Për pacienten, jeta e saj e dytë, për ekipin e mjekëve që morën pjesë në operacion, përtej emocioneve, kjo ishte nga ato ndërhyrje që mbyllet me duartrokitje, si vlerësim për ngadhnjimin e jetës dhe humanizmit.
Në operacion morën pjesë 10 mjekë, gjashtë të spitalit “Memorial” dhe dy mjekë nga “Shefqet Ndroqi” dhe Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”
Po nëse mjekët e zemrës ishin në pararojë të operacionit që zgjati mbi katër orë, zemra e vetë ekipit ishte mjekja anesteziste, Xhoana Derraj. Metodat e përparuara mjekësore, pajisjet moderne dhe bashkëpunimi i frytshëm me mjekët turq e kanë shndërruar Memorialin në një nga spitalet publike më të mirë në vend.
