11 maji rezultoi fatal për Partinë Demokratike, ku edhe pse në dukje Sali Berisha arriti të mblidhte votat e tij, demokratët nuk mundën të dilnin jashtë këtij rezultatit, përkundrazi, për shkak të një pjesëmarrje të ulët dhe refuzimit të shumë të tjerëve për të dalë në zgjedhje, PD-së i kushtoi më shumë sa pritej.
Edhe pse me marrëveshjen e bërë mes PD e PS për hapjen e listave, në 2/3 e saj dhe konsiderimin si të sigurt të pjesës tjetër, për PD kjo nuk rezultoi të ishte aq e sigurt. 11 maji tregoi se të paktën 3 kandidatë nga kjo listë në 3 qarqe të mëdha të vendit, nuk do të mund të hyjnë në Parlament, kjo për shkak se PD nuk arriti të mbledhë mjaftueshëm vota për të mbrojtur të paktën listën e saj të mbyllur. Kësisoj, teksa në Vlorë Partia Socialiste siguroi mandatin e saj të nëntë, ashtu si ishin edhe parashikimet e socialistëve, demokratët humbin nga lista e sigurt, mandatin e Atird Hoxhës.
Fat të ngjashëm kishte edhe Aurel Bylykbashi në Elbasan, ku sërish demokratët kanë pësuar rënie në vota. Humbja më e thellë për demokratët vjen nga Fieri, ku nga 16 mandate në lojë, demokratët grumbulluan vota vetëm për 4 të tillë, duke humbur mandatin e Eduart Sharkës, i cili ishte i fundit në listën e mbyllur.
Në të tilla rrethana, kur demokratët pësuan rënie në vota e mandate krahasuar me vitin 2021, as kryedemokrati Sali Berisha por as edhe të emëruarit në krye të qarqeve, duket se nuk do të mbajnë përgjegjësi, të paktën referuar deklaratave të tyre publike, ku fajtor për humbjen e thellë në këto zgjedhje shohin kundërshtarin politik.
