Mbi 7.6 tonë miell janë bllokuar nga Dogana e Durrësit ditën e sotme, pasi rezultoi i skaduar.

Dogana e Durrësit bën me dije se, gjatë një kontrolli në ambientet e një subjekti tregtar, u konstatuan 2.500 kg miell orizi me datë skadence 1 prill 2025, dhe 5.150 kg miell për pica me datë skadence 7 prill 2025. Në total ishin 7.650 kg produkt i papërshtatshëm për tregtim dhe konsum. Dogana thotë se subjekti tregtar në fjalë ishte i pajisur me autorizim për përdorimin e Regjimit të Përpunimit Aktiv.

Strukturat doganore kanë nisur procedurat përkatëse në bashkëpunim me Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, deri në asgjësimin e plotë të mallit.

Njoftimi i plotë:

Dega e Doganës Durrës, gjatë kontrollit fizik në ambjentet e një subjekti tregtar, i pajisur me autorizim për përdorimin e Regjimit të Përpunimit Aktiv, ka bllokuar mallra që u kishte kaluar afati i përdorimit, referuar datës së skadencës.

Nga punonjësit e doganës është bllokuar sasia 2.500 kg miell orizi, me datë skadence 01.04.2025 dhe sasia 5.150 kg miell për pica, me datë skadence 07.04.2025. Dogana e Durrësit ka nisur procedurat, në bashkëpunim me strukturat e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, në parashikim të kompetencave përkatëse, deri në asgjesimin e mallit.

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave shpreh angazhimin maksimal për zbatimin e ligjshmërisë dhe nxit operatorët ekonomikë për respektimin e detyrimeve për garantimin e sigurisë dhe mbrojtjes së shtetasve.