Itali
Policia italiane arreston shqiptarin Shyqyri Murati. Akti, pasi u zu me të shoqen
E shoqja i kujton përgjegjësitë e tij për 35 mijë euro të hedhura në erë, për shkak të bixhozit dhe ai, në një çast çmendurie, i vë flakën shtëpisë e familjes, duke shkatërruar kështu edhe atë “pasuri” që çifti kishte vënë me vite të tëra sakrificash. Tani shqiptari që jetonte në Itali duhet të përgjigjet për zjarrvënie dhe tentativë vrasjeje. Sipas “Il Mattino di Padova”, protagonisti është Shyqyri Murati, 47 vjeç, rezident në Fontaniva të provincës së Padovës. Prej dhjetë vjetësh Shyqyri Murati jeton në rrugën “Brenda”, së bashku me të shoqen, të atin, të birin vetë i tretë, (i fejuar dhe me një djalë tremuajsh).
Historia
Ajo e familjes Murati është një histori e zakontë integrimi, për të cilën fqinjët thonë “nuk i kishim dëgjuar kurrë të bënin fjalë me zë të lartë. Njerëz të zakonshëm, punëtorë dhe të qetë”. Por, të shtunën diçka ndodhi. Familja kishte shkuar të hante jashtë dhe gjithçka dukej si zakonisht. Kur kthehen në shtëpi, burrë e grua nisin të diskutojnë. Gruaja e kritikon, sepse ka futur familjen në borxh për atë dreq bixhozi: 35 mijë euro të humbura në video-poker. Shyqyriu reagon në mënyrë absurde, duke i vënë flakën shtëpisë që mezi e kishin rregulluar me një qind sakrifica. Policia dyshon se kur kreu aktin, ai ka qenë i dehur. Portali “Shqiptari i Italisë” shkruan se familjarët u ngjitën lart, ndërsa ai mbeti vetëm në kuzhinë, në katin përdhes. Merr një bidon me benzinë, e hedh mbi mobilie, mbi dysheme dhe i vë zjarrin. Brenda pak minutave, shtëpia përfshihet nga flakët. I biri e ndien i pari dhe u kërkon ndihmë fqinjëve. Këta marrin në telefon karabinierët dhe menjëherë i shkojnë në ndihmë familjes shqiptare, por pa arritur të shuajnë flakët me zorrën e ujit që ndodhej në oborr. Të gjithë familjarët jashtë nuk mund të bëjnë tjetër veçse të shohin si digjet para syve të tyre gjithçka kanë vënë me shumë mund e sakrifica në vite të tëra pune. Jashtë shtëpive dalin edhe fqinjët, të trembur për familjen shqiptare, por edhe sepse flakët e larta për pak vunë në rrezik dhe shtëpitë e tyre. Të gjithë kujtojnë se faji është i ndonjë aksidenti, i ndonjë problemi elektrik, apo se ka shpërthyer stufa. Por kur mësojnë dëshmitë e familjarëve, karabinierët sekuestrojnë shtëpinë dhe arrestojnë Muratin me akuzën e zjarrvënies dhe të tentativës së vrasjes në rrethana rënduese. Familjarët, të tronditur për ngjarjen, pasi humbën shtëpinë, jetojnë te një nga vajzat e Shyqyri Muratit në Fontaniva.