Deputeti socialist Loer Kume, ka qenë i ftuar në një emision televiziv, në momentin kur titrat e televizioneve informative njoftonin për arrestimin e të vëllait të tij Eneas, me urdhër të SPAK.

Vetë deputeti nuk mund t’i shpëtonte pyetjes në lidhje me arrestimin e të vëllait, që sipas tij ishte kryer mbrëmjen e djeshme, por tha se do ta konsiderojë të pafajshëm deri në momentin që drejtësia të flasë.

“U vura mbrëmë në dijeni, është arrestuar dhe është i dyshuar dhe për sa kohë nuk ka një vendim fajësie do ta konsideroj të pafajshëm deri në momentin që drejtësia të flasë. Por gjithkush është përgjegjës për jetën dhe vendimet që merr në jetën e tij, por të mos flasim para kohe”, u shpreh deputeti Loer Kume.

Prej orëve të para të mëngjesit të sotëm SPAK dhe policia kanë nisur një operacion në Durrës, ku janë kryer kontrolle në banesa e biznese.

Në total janë lëshuar 9 masa sigurie me urdhër të SPAK. Në pranga kanë rënë deri tani shtetasit Enea Kume, vëllai i deputetit të PS-së Loer Kume, si dhe Vullnet Muça, vëllai i Aleksandër Lahos. SPAK ka pasur informacione se vetë Laho, i njohur me nofkën “Rrumi i Shijakut” ndodhej në Shqipëri, por deri tani nuk konfirmohet arrestimi i tij. Dosja që ka çuar në këto arrestime lidhet me tjetërsimin e pronave në qytetin e Durrësit.